Tirana mirëpret Forumin e Shëndetit dhe Mirëqenies për Rininë, organizuar si një bashkëpunim i Zyrës Rajonale për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Rinisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bashkisë Tiranë. Në sesionin hapës, Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge vlerësoi iniciativën e Ministrisë së Shëndetësisë për integrimin e shërbimeve socio-shëndetësore.

“Vitin e kaluar Ministrja Manastirliu ishte Presidente e Komitetit Rajonal që është një bord qeverisës i imi me 53 Ministri të Shëndetësisë. Është me të vërtetë një përgjegjësi serioze. Ministre, ju njoh si dikush që gjithmonë kërkon të bëjë inovacion, të jetë pioner dhe të kujdeseni për të gjithë, qofshin të rinj apo të moshuar, duke aplikuar tani në kujdesin shëndetësor që ka të bejë me afrimin e kujdesit shëndetësor dhe atij social së bashku. Ju lumtë”, tha Kluge.

Në fjalën e tij Kluge tha se OBSH është e angazhuar për të punuar bashkë me të rinjtë për të arritur vizionin e të pasurit një kulturë shëndetësore në rajon, dhe ku të fuqizohen të gjithë të rinjtë.

“Ne jemi të angazhuar për të punuar së bashku për të arritur vizionin, vizionin e të pasurit një kulture shëndetësore në rajonin tonë, ku çdo njëri është i fuqizuar për të bërë një stil jete të shëndetshme. Ne do të vazhdojmë nga Tirana në Samitin 2023 në Astana në Kazakistan. Destinacioni është i qartë por si do të arrijmë atje? Ju duhet të vini me idetë tuaja. Suksesi i Forumit të parë rinor për do të thotë që të dalim me ide konkrete si do të kontribuoni në politikat shëndetësore që marrin në konsideratë 350 milion të rinj në rajonin tonë, veçanërisht ata që nuk kanë zë dhe që nuk do të kenë kurrë mundësi të ulen në këtë sallë”, tha Kluge.

Forumi për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve po zhvillon punimet e tij në Tiranë nga data 25-27 Tetor, i cili mbledh bashkë qindra të rinj nga 42 vende të Botës, së bashku me qeverinë dhe partnerët e shoqërisë civile, për t’u angazhuar në dialog të vërtetë, për të krijuar besim dhe për të gjetur mënyra më të mira për të përfshirë të rinjtë në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre. Në Forum merr pjesë edhe Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: