Nga: ORNELA MANJANI*

TIRANE- Ministria e Financave bën publik raportin e auditimit të brendshëm për përdorimin e burimeve publike. Përmes një njoftimi zyrtar, mësohet se Drejtoria e Auditimit të Brendshëm në ministri ka faktuar parregullsi në zhdoganimin e mallrave, në rastet kur është pranuar vlera sipas transaksionit, disa herë me e ulët se çmimi, duke përdorur për disa artikuj të dhëna të procesverbaleve të vlerës të para mbi 10 viteve. Zbulimet për mospërputhje të Kodit Tarifor me Kodin e Emërtesës janë të ardhura të munguara, kryesisht nga TVSH. “Ka pasur shkelje të procedurave të zgjedhjes për kontroll, zgjatje të pajustifikuara në kryerjen dhe raportimin e kontrolleve tatimore dhe kontrolle në proces për rreth një vit, propozime mbi dy herë për rikontroll për të njëjtët tatimpagues, rikontrolle të rekomanduara nga auditimi i brendshëm dhe të pakryera, kontrolle tatimore arbitrare në DRT Vlorë të periudhës 2012-2013”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave janë vërejtur shkelje të rregullave të prokurimit publik, për të cilat janë dënuar me gjobë nga 50 mijë deri në 300 mijë lekë 8 zyrtarë, ndërsa janë dhënë masa disiplinore për 4 të tjerë. Sipas ministrisë, bazuar në raportet e auditimeve të kryera, për titullarët e institucioneve janë dhënë masa disiplinore të të gjitha niveleve, për më shumë se 100 punonjës, gjoba për shkeljet në 9 raste, si dhe kallëzim penal për zyrtarët publikë në dy raste. Nga auditi rezulton se mungon baza e të dhënave, regjistrimi i borxhit mbi kreditë e këqija në vite në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, duke e bërë pothuajse të pamundur mbledhjen e tyre deri në vitin 2013. Po në këtë institucion, për pagesë të vendimeve gjyqësore për largime të padrejta nga puna të punonjësve deri në vitin 2013 i është shkaktuar buxhetit të ATK-së një dëm prej 14.9 milionë lekësh.
Kontrollet
Forcimi i kontrollit dhe auditimit të brendshëm publik të Ministrisë së Financave, i fokusuar jo vetëm në raportim të parregullsive, shkeljeve administrative apo penale, por edhe në dhënien e rekomandimeve dhe këshillave të dobishme për ndreqjen e tyre dhe përmirësimin e menaxhimit financiar, kontrollit dhe drejtimit ka bërë që ky shërbim të jetë më i dobishëm dhe në ndihmë të institucionit të ministrisë dhe ato vartëse për shtimin e vlerës dhe mbrojtjen e aseteve publike. Kjo mënyrë e kontrollit të brendshëm ka bërë që të evidentohen shkeljet e bëra në vite dhe disa herë të paaudituara, por edhe të parandalohen në kohë tendencat për shkelje të procedurave ligjore dhe abuzim në sektorë të caktuar. Ministria e Financave vlerëson se ky proces auditimi do të forcohet më shumë në të ardhmen, me synimin për siguruar një menaxhim të mirë të financave publike, rritjen e sigurisë për të gjitha fushat e veprimtarive të financave publike si dhe përgjegjshmëri të qeverisjes në përdorimin e burimeve publike.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: