Analisti Agim Baçi ka deklaruar se reagimi i deputetes së PS, Elisa Spiropali, tregon për ekzistencën e një presioni të fortë ndaj saj, duke ngritur pikëpyetje mbi klimën e brendshme në parti dhe funksionimin e institucioneve. Dyshohet se ndaj bizneseve të Spiropalit po ushtrohet presion nga administrata tatimore, një veprim që sipas burimeve lidhet me qëndrimet e saj të fundit publike në raport me ish-zv/kryeministren, Belinda Balluku.

I ftuar në programin e drekës në News24, Baçi u shpreh se fakti që Spiropali ka zgjedhur të komunikojë përmes rrjeteve sociale mund të tregojë se zëri i saj është i penguar ose se ajo po përballet me sulme dhe thirrje për të heshtur.

“Vetë ideja që komunikon në rrjete sociale mund të nënkuptojë një zë të penguar, ose presion për të mos folur”, tha ai.

Baçi theksoi se reagimi i Spiropalit duhet marrë seriozisht, duke pasur parasysh rolin e saj të mëparshëm si drejtuese e institucioneve të rëndësishme shtetërore. Sipas tij, shqetësimi kryesor që ajo ngre lidhet me një model funksionimi ku ligji zëvendësohet nga urdhri.

“Bëhet fjalë për një problematikë të madhe, ku nuk është më ligji ai që udhëheq, por urdhri”, u shpreh analisti.

Ai shtoi se deklarata e saj duhet të diskutohet në forumet e partisë dhe në grupin parlamentar, duke paralajmëruar se nëse mbetet vetëm në rrjete sociale, ndikimi i saj do të jetë i kufizuar.

Sipas Baçit, reagimi i Spiropalit nënkupton një presion të madh ndaj saj, ndërsa mënyra e komunikimit publik tregon për vështirësi në adresimin e këtyre çështjeve brenda strukturave të partisë.

Vetë Spiropali, në reagimin e saj, pohon se është këshilluar të heshtë dhe paralajmëron për një klimë ku institucionet, sipas saj, janë kthyer në instrumente presioni dhe vendimmarrja nuk bëhet më në mënyrë kolegjiale.

Ajo flet për një model ku administrata ndikohet nga urdhra dhe presione, ndërsa sulmet, sipas saj, shkojnë deri te familjarët, duke tejkaluar kufijtë e debatit politik.

Baçi thekson se situata kërkon ballafaqim dhe debat të hapur brenda partisë. Ai solli në vëmendje edhe shembuj ndërkombëtarë, duke nënvizuar se ndryshimet politike nisin nga kundërshtimi dhe denoncimi i hapur.

Sulmi i Tatimeve ndaj Spiropalit
Mësohet se zyrat e familjes së ish-ministres Elisa Spiropali janë kontrolluar nga administrata tatimore, një veprim që sipas të njëjtave burime lidhet me qëndrimet e saj të fundit publike në raport me ish-zv/kryeministren, Belinda Balluku.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, pretendohet se institucione të rëndësishme shtetërore, përfshirë administratën tatimore dhe strukturat e hetimit tatimor, po përdoren për qëllime presioni, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj zërave kritikë brenda vetë mazhorancës.

Në reagimin e saj publik, Spiropali thekson se nuk ndihet e frikësuar nga këto veprime, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, vendi po përballet me një fazë shqetësuese të funksionimit të institucioneve, ku ato mund të përdoren për sulme dhe mbrojtje në funksion të interesave të caktuara.

Pretendimet nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime apo sqarime lidhur me këtë çështje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb