TIRANË

E pranishme në konferencën “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”, Ministrja Etilda Gjonaj, vuri theksin në bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë në funksion të integrimit europian.

“Më vjen mirë që koncidon me një lajm pozitiv të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke nënvizuar rezultatet e reformës në drejtësi. Si ministre dëshiroj të nënvizoj rolin thelbësor të saj. Integrimi europian është një aspiratë e shqiptarëve, një ëndërr e papërmbushur. Është detyrë e gjithë institucioneve të drejtësisë. Është sfida jonë e përbashkët për të bashkërenduar veprimet tona, për të siguruar rezultate të prekshme. Reforma në drejtësi ka sjellë një kontribut në reformimin e drejtësisë penale. Ndryshimet ligjore i dhanë rol të ri prokurorisë duke garantuar pavarësi të plotë në hetim. Forcimi i pavarësisë duhet të shoqërohet edhe me konsolidimin e mekanizmave institucionalë që ndëshkojnë cdo lloj fryme të korrupsionit.

Reforma në drejtësi nuk është thjesht ndryshim ligjesh, por ndryshim i qasjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Vettingu është një proces i vështirë, por jetik për besueshmërinë e qytetarëve. Një numër i lartë i prokurorëve e kanë kaluar këtë test, dhe ky është tregues pozitiv për ju. Integriteti është faktor kyc për besimin te reforma në drejtësi.

Vlerësoj rolin e grave në radhët e prokurorisë. Bëjnë një punë shumë të vështirë, duke u përballur edhe me mentalitetin. Mbetem avokate e fortë e promovimit të tyre brenda sistemit. Me parashikimet e reja ligjore është e nevojshme të atashohen prokurorë më eksperiencë.” u shpreh Gjonaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb