Eksperti i integrimit europian Gledis Gjipali, i ftuar në News24, ka folur mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian, duke u ndalur te fondet e planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjipali u shpreh se Shqipëria tashmë ka përfituar nga këto fonde, ndërsa është e detyruar të raportojë çdo 6 muaj mbi progresin e reformave të kërkuara. Sipas tij, vendi ndodhet në përfundim të vitit të parë të këtij procesi, një moment kyç ku janë evidentuar edhe mangësi.
Ai theksoi se një sërë çështjesh nuk janë përmbushur sipas kërkesave, ndërsa Komisioni Europian ka vlerësuar disa aspekte si të papërfunduara, duke i dhënë Shqipërisë një afat njëvjeçar për t’i realizuar ato. Mes tyre përfshihen përafrimi i legjislacionit me standardet europiane, si dhe çështje që lidhen me të drejtat e njeriut.
“Shqipëria duhet të plotësojë detyrimet që i kërkohen në mënyrë që procesi të vijojë normalisht,” u shpreh Gjipali, duke paralajmëruar se ritmi i reformave ndikon drejtpërdrejt në përfitimin e fondeve.
Sipas tij, vendet që ecin më shpejt në përmbushjen e kritereve mund të përfitojnë edhe fondet e atyre që mbeten pas. Por në rast se të gjitha vendet lëvizin me ritme të ngadalta, atëherë fondet mund të mos disbursohen.
Në përfundim, Gjipali theksoi se Shqipëria ka ende mundësi për të përfituar plotësisht nga këto fonde, por vetëm nëse përmbush në kohë dhe në mënyrë të plotë kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian.
