Ish-ambasadori Roland Bimo, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe sfidat e këtij procesi.

Bimo u shpreh kritik ndaj mënyrës së funksionimit të shtetit, duke deklaruar se në Shqipëri vihet re një “arbitraritet total i pushtetit”, i cili sipas tij nuk haset në vendet europiane.

Ai komentoi gjithashtu reagimet e ambasadave të huaja në vend, duke përmendur Gjermaninë dhe Holandën, të cilat i cilësoi si një “shuplakë për qeverinë”, por theksoi se për të prioritet mbeten qytetarët shqiptarë.

Sipas tij, pas viteve ’90 biznesi shqiptar është dëmtuar ndjeshëm dhe, pavarësisht kësaj, vazhdon perceptimi se vendi është në rrugën e duhur, ndërsa realiteti mund të jetë ndryshe.

“Ajo që ndjej sot kur bisedoj me njerëz ëhstë një arbitraritet total i shtetit që nuk e shikon në vendet europiane. Historikisht janë zhvilluar disa mekanizma, ku unë shoh që arbitrariteti i pushtetit është sot. Reagimet e ambasadave, Gjermane, apo Holandeze janë një shuplakë, për qeverinë, por mua nuk më interesojn fare. Mua më interesojnë shqiptarët. Ambasadori gjerman apo holandez ka të drejtën të shprehet se do jetë pjesë e mënyrës se si qeveriset, ne shikojmë se cilët janë interesat e tyre që preken dhe nuk shikojmë fare interesat tona. Ne jemi shumë të impenjuar që t’u bëjmë qejfin të huajve. Gjithë biznesi shqiptar që nga ’90 e sheh që është shkatërruar dhe ndjekim një vendosmëri që jemi në rrugën e drejtë dhe nuk e kuptojmë që jemi në rrugën e gabuar. Por duhet thënë që ka shumë pak Europë në Shqipëri, pasi ka shumë pak vullnet për ta bërë këtë vend Europë, më shumë shihet dëshira për të ikur në Europë”, tha më tej ai.

Në përfundim, ish-ambasadori theksoi se “ka shumë pak Europë në Shqipëri”, duke shtuar se mungon vullneti për ta transformuar vendin sipas standardeve europiane dhe se më shumë shihet dëshira për të emigruar drejt Europës sesa për ta ndërtuar atë brenda vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb