Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka dhënë një mesazh të qartë lidhur me luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar se konflikti nuk duhet të zgjerohet në rajonin e Mesdheut.
Deklarata e saj u bë përpara gazetarëve në Bruksel, në kuadër të një takimi urgjent të Këshillit Evropian, ku në fokus ishte edhe situata e krijuar nga lufta mes Ukrainës dhe Rusisë.
Meloni theksoi se Italia vijon të mbështesë Kievin, por nënvizoi se kjo mbështetje nuk duhet të cenojë sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e qytetarëve italianë.
“Ju e dini qëndrimin tim ndaj Ukrainës dhe mbështetjen time, si dhe atë të Italisë për Ukrainën. Megjithatë, besoj se lufta nuk duhet dhe nuk mund të zgjerohet në Mesdhe”, deklaroi kryeministrja italiane.
Ajo shtoi se për këtë çështje duhet të ketë një qëndrim të qartë jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Sipas Melonit, ndihma për Kievin duhet të vijojë, por paralelisht duhet të garantohet siguria e kufijve dhe e qytetarëve italianë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të vazhduar ta ndihmojmë Ukrainën të mbrohet. Megjithatë, duhet të mbrojmë edhe sigurinë e kufijve tanë dhe të qytetarëve tanë”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Meloni bëri të ditur se këtë qëndrim ia ka përcjellë dhe do të vijojë t’ia bëjë të qartë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe autoriteteve në Kiev.
