Interi është aktualisht në avantazh ndaj Comos në garën për mbrojtësin anglez Trevoh Chalobah. Ndryshe nga raportimet e orëve të fundit, Como nuk ka paraqitur një ofertë prej 35 milionë eurosh për lojtarin. Pasi dy propozimet e para u refuzuan nga Chelsea, klubi ka vendosur të tërhiqet nga negociatat dhe të përqendrohet te objektiva të tjerë për repartin e mbrojtjes.

Në këtë situatë ka hyrë fuqishëm Interi. Drejtuesit zikaltër kanë punuar në prapaskenë dhe kanë arritur një marrëveshje paraprake me Chalobah për kushtet personale të kontratës. Tashmë klubi nga Milano po zhvillon bisedime me përfaqësuesit e futbollistit dhe me Chelsean, me synimin për të gjetur marrëveshjen përfundimtare.

Megjithatë, transferimi nuk konsiderohet ende i mbyllur. Edhe pse Chalobah ka dhënë pëlqimin e tij për t’u transferuar te Interi, drejtuesit Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio nuk kanë bërë ende ofertën vendimtare për Chelsean. Klubi po shqyrton paralelisht edhe alternativa të tjera për mbrojtjen, duke kërkuar zgjidhjen më të mirë si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Interi do të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Chelsean dhe do ta transferojë mbrojtësin anglez në “San Siro”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: