Gjatë interpelancës për Maturën Shtetërore në parlament, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri një analizë të Maturës Shtetërore 2021, si dhe nënvizoi masat e marra për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore 2022.

Reagimet e vitit të kaluar për provimin e matematikës dhe pakënaqësia e maturanteve çuan në reflektimin e menjëhershëm të ministrisë, e cila me ekspertë, mësues dhe maturantë bënë një analizë e shpejtë dhe pas vlerësimit të shqetësimeve për të gjitha testet, si dhe duke marrë parasysh edhe vështirësitë e pandemisë, me vendim unanim të Komiteti i Maturës Shtetërore u vendos për uljen e kufirit minimal të kalueshmërisë dhe atë të pikëve për çdo notë.

Kushi theksoi se pavarësisht problematikave dhe sfidave më të cilat u përballën, kalueshmëria në të gjitha lëndët ishte shumë e lartë, mbi 98%.

Ajo shtoi se aplikimi i metodës së korrigjimit të pyetjeve me alternativa nëpërmjet sistemit elektronik eliminoi gabimet njerëzore, si dhe shkurtoi kohën dhe rritjen e cilësisë së korrigjimit.

Që prej muajit shtator, Komiteti i Maturës Shtetërore (KOMSH), i cili përfaqësohet nga MAS, DPAP me mësues, përfaqësues nga ZVA-të, ASCAP, QSHA, RASH, arsimi publik, etj. ka punuar në mënyrë intensive për Rregulloren e vitit 2022, e cila u prezantua në muajin shkurt gjatë një takimi me maturantë nga i gjithë vendi.

Ministrja tha se risi për këtë vit është se procesi i vlerësimit të testeve do të mbikëqyret edhe nga grupe pune të ngritura nga MAS, duke garantuar cilësi më të lartë vlerësimi.

Së bashku me QSHA, edhe në javët në vazhdim do të organizohen takime informuese, ndërgjegjësuese, këshilluese, me maturantë por edhe mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore, për të garantuar që rregullorja të njihet dhe zbatohet siç duhet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb