Mafia e kanabisit në Itali dhe lidhja me trafikantët shqiptarë ka qenë në fokus të investigimit nga Revista italiane “L’Espresso”. Gazetarët nga investigimi i tyre kanë zbuluar se si kryhet transporti i drogës nga Shqipëria në Itali. Përveç hashashit që kultivohet në Itali, me qindra ton importohen kryesisht nga Maroku dhe Shqipëria. Gazetarët italainë kanë biseduar me kolonelin Maurizio Muscara të Guardia di Finanza, që tregon betejën e vazhdueshme me trafikantët.

“Në tre vitet e fundit kemi sekuestruar më shumë se 11 tonë”, thotë Muscara. “Një kg e blerë direkt nga plantacionet në Shqipëri kushton maksimumi 200 euro dhe shitet në Itali për 10 mijë euro. Kjo do të thotë se me një ton, banda fiton 10 milionë euro”.

Nga përllogaritjet e Guardia di Finanza të ardhurat vjetore të këtij biznesi arrijnë në 4-5 miliardë euro. Sipas tyre prodhimi i lëndës narkotike në Shqipëri është 900 tonë çdo vit.

Revista italiane “L’Espresso” tregon se si trafikohet droga nga Shqipëria në Itali:

“Është natë e errët në kanalin që bashkon Otranton me Borshin, 90 km nga qyteti i Vlorës, në Shqipëri. Vetëm hëna ndriçon atë pjesë të detit dhe vihen re gjurmët që lë një motor uji i lëshuar me gjithë shpejtësinë drejt brigjeve të Pulias. E drejton një djalosh, pak më i madh se minoren. I punësuar nga bandat kriminale shqiptare. Në çdo anë të motorit të ujit ka 200 kg hashash i kultivuar në malet e qarkut të Gjirokastrës. Ai e di që ka vetëm 50% mundësi për të përmbushur misionin për të cilin është ngarkuar. Shumë nga bashkatdhetarët e tij ia kanë dalë. Vetëm se atë natë, patrullat detare të Guardia di Finanza së Barit, Departamenti ajror-detar mbikëqyrin bregdetin me motoskafë të fuqishëm, që dikur ishin në duart e kontrabandistëve të cigareve.

Një helikopter i “Fiamme Gialle” fluturon mbi zonën nga e cila zakonisht vijnë skafistët e marijuanës dhe i duhet vetëm pak për pikasur motorin e ujit të ngarkuar me hashash. Më pas, ia komunikon koordinatat “Corbelli”, që nis ndjekjen. Skena të tilla përsëriten vazhdimisht. Efektivët e udhëhequr nga kolonel Maurizio Muscara janë më të përgatiturit në Itali”, shkruan “L’Espresso”.

Revista thotë se hetimet kanë treguar se trafikantët shqiptarë të kanabisit kanë baza italiane dhe janë të lidhur me bandat e Salentos të “Sacra Corona Unita”.

(fl.na/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: