Emisioni ‘Ne Shenjestër’ në ‘News24’ ne investigimin e tij sjell te tjera detaje se si abuzohet me paratë publike nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

I krijuar 29 vite më parë si një agjenci për zbutjen e varfërisë në zonat rurale të vendit, vit pas viti Fondi Shqiptar i Zhvillimit është kthyer në një mekanizëm qeveritar ku qarkullojnë miliona dollarë para publike, praktikisht një rrugë e shkurtër për ekzekutivin për të realizuar projekte duke anashkaluar ministritë e linjës apo bashkitë. Fillimisht i ngritur me një vendim të Këshillit të Ministrave në janar të vitit 1993, sipas një projekti të Bankës Botërore funksionimi i këtij institucioni është rregulluar me ligj në vitin 2009. Aty përcaktohet se FSHZH-ja është person juridik dhe gëzon statusin e organizatës jofitimprurëse. Ka një drejtor ekzekutiv që zgjidhet nga një këshill drejtues i përbërë nga 11 anëtarë, 5 prej tyre vijnë drejtpërdrejtë nga qeveria, 6 të tjerë nga pushteti lokal. Kryetari i Këshillit drejtues te Fondit emërohet me vendim qeverie dhe zakonisht ka qenë zëvendës kryeministri.

Në portofolin e FSHZH kanë kaluar llokma të mëdha të fondeve publike, projekti i rrugëve dytësore mbi 368 milionë dollarë, Rindërtimi me 230 milionë dollarë, Konektiviteti 180 milionë dollarë, Infrastruktura Vendore dhe Rajonale 100 mln dollarë, Programi për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin 95 milion dollarë, dhe ndërtimi i ujësjellësve ruralë, Rilindja urbane etj. Sipas raporteve të vetë Fondit Shqiptar të Zhvillimit nga viti 2017 deri ne 2027 ky institucion ka një buxhet të siguruar prej 1,4 miliardë dollarësh për 313 projekte.

650 milionë dollarë financohen nga qeveria shqiptare, pjesa tjetër nga përmes borxheve të marra po nga qeveria përmes kredive të dhëna nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, si banka botërore, kfV gjermane, bashkimi europian, Berzh etj. Referuar një analize të buxhetit të FSHZH në 10 vitet e fundit rezulton se në vitin 2020 buxheti i FSHZH-së është 6-fishuar krahasuar me buxhetin e vitit 2010. Ajo që e bëri edhe më shumë të famshëm, Fondin Shqiptar të Zhvillimit është skandali i publikimit të të dhënave mbi pagat në fund të 2021, ku dolën në pah anomalitë me nepotizmin në administratën dhe abuzimet me paratë publike.

Administrata e këtij institucioni praktikisht rezulton më e paguara në Shqipëri. Në databazën e pagave të prillit zbulohet se 5 shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë paga bruto nga 1500 dollarë (153120 lekë) deri 1900 dollarë (196 636 lekë) në muaj, afërsisht sa paga e një deputeti (156 770 lekë) dhe në disa raste më shumë se e një ministri (174 760 lekë). “Vend pune pëllumbash” quhet në zhargonin popullor. Njëri nga shoferët merr një pagë rreth 1900 dollarë (196 636 lekë), duke konkurruar me zëvendës kryeministrin. Vetë drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, përfiton një pagë prej afro 7 mijë dollarësh (701 100 lekë) ne muaj, gati 3 herë më shumë se kryeministri Edi Rama që paguhet rreth 2200 dollarë muaj (228 730 lekë) dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta që përfiton afro 2500 dollarë në muaj (257 000 lekë).

Ndërkohë një punëtor pastrimi në Fondin Shqiptar të Zhvillimin përfiton bruto 1200 dollarë muaj. Krahasimi me pagat e larta të administrata shtetërore është njëra anë e medaljes, pasi po t’i krahasosh me mësuesit (68,040 lekë) shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit paguhen më shumë sa dy të tillë, apo sa tre policë rendi (50 000 lekë).

Kurse pjesa tjetër e administratës të FSHZH, juristë dhe specialistë të ndryshëm fut nëpër xhepa me mijëra dollarë çdo muaj si pagë fikse (170 100-601 800 lekë), 6 mijë dollarë drejtori i drejtorisë, 5900 dollarë drejtori i burimeve njerëzore, gati 5000 dollarë një punonjëse sociale, apo 4800 dollarë drejtori i marrëdhënieve me publikun.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një institucion buxhetor, me vende pune që sulmohen nga të afërm zyrtarësh, por kjo ka pak rëndësi pasi çdo kush ka të drejtë të synojë një pagë dinjitoze. Ajo që bën të padrejte është krahasimi me ushtrinë prej dhjetra mijëra nëpunësit të tjerë të administratës shtetërore, mësuesish, policesh, mjekesh e kështu me radhë, që merr çdo muaj një pagese mbijetese.
Por pasi dolën punonjësit shtetërorë më të paguar në Shqipëri, ku shoferët merrnin deri në 1900 dollarë rrogë, zyrtarët e fondit shqiptar të zhvillimit kanë menduar që të blejnë për vete, por me paratë e taksapaguesve shqiptare paketa sigurimi shëndetësor që mbulojnë shërbime deri në 680 mijë dollare. Në tenderin me fond limit prej rreth 58 mije dollarësh për blerjen policave të sigurimit për dy vite I mbyllur ne dhjetor të 2021, ka dalë fituese kompania e vetme pjesëmarrëse SIGMA INTERALBANIAN VIENNA INSURANCE GROUP sh.a, e cila ka ofruar një çmim për njësi prej 688,600 (gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekësh, ose rreth 6800 dollarë.

Në dokumentin e termave të referencës specifikohen se janë 4 paketa, e para nga një mbulim prej rreth 680 mijë dollarësh, me shërbime shëndetësore te mbuluara deri në të gjithë botën përveç, SHBA, Kanadasë dhe Zvicrës. Paketa e dytë mbulon shpenzime për kurim deri ne rreth 200 mijë dollarë në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëri dhe Turqi, ndërsa dy paketat e tjera mbulojnë shërbime deri ne 68 mijë dollarë në Shqipëri, Turqi dhe Europë, përjashtuar Zvicrën. Paketat përfshijnë mbulimin 100% të shtrimeve në spitale, kurime brenda dhe jashtë vendit, ndërhyrjet kirugjikale, terapinë intensive, pagesat për biletat e avionit dhe transportin për në spital me ambulancë dhe helikopter, si riatdhesimin nga jashtë. Po ashtu polica e sigurimit mbulon edhe kimioterapitë, protezat u mundshme, ekzaminimet me skaner, rezonance, fizioterapinë madje dhe kujdesin për shtatzëninë dhe lindjen. Dy paketat më të shtrenjta kanë në listë edhe transplantet dhe kujdesin psikiatrik.
Dhe në kohë pandemie nuk mund të mungojë as mbulimi i shpenzimeve për covid. Ndërsa qytetarët shqiptare paguajnë medikamente dhe shpenzime deri në mijëra euro, zyrtarët e fondit i kanë kurat falas për një pjesë te mirë të shërbimeve të lidhura me Covid-19.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: