Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, pasi Teherani njoftoi se ka sulmuar dy baza ushtarake amerikane në Kuvajt, ndërsa Uashingtoni ka nisur një valë të re bombardimesh kundër objektivave iraniane.
Sipas televizionit shtetëror iranian, forcat iraniane ndërmorën sulme të gjera me dronë ndaj një depoje municionesh amerikane në Kampin Udayri, si edhe ndaj sistemeve të radarit Patriot dhe radarëve të mbikëqyrjes ajrore në Bazën Ajrore Ali Al-Salem në Kuvajt. Sulmet u paraqitën nga Teherani si hakmarrje për bombardimet amerikane të ditëve të fundit.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kishte urdhëruar nisjen e një serie të re sulmesh ajrore kundër Iranit, me synimin për të “ndëshkuar” Gardën Revolucionare pas vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në Jordani.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se operacionet ajrore nisën në orën 18:00 sipas kohës së Uashingtonit dhe synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, si dhe të godasin strukturat e Gardës Revolucionare, të cilat Uashingtoni i akuzon për sulmet ndaj personelit amerikan në Jordani.
Gjatë natës, mediat iraniane MEHR, Tasnim dhe agjencia shtetërore IRNA raportuan për bombardime amerikane në provincën jugore Hormuzgan, pranë Ngushticës së Hormuzit, ku u goditën zona pranë qytetit portual Shirik dhe Khajabad.
Sipas CENTCOM, dy ushtarë amerikanë u vranë dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas një sulmi iranian me raketa dhe dronë në Jordani. Me këto humbje, numri i ushtarakëve amerikanë të vrarë që nga rifillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt ka shkuar në 16.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin “mësime të paharrueshme”, duke akuzuar Uashingtonin se ka shkelur vazhdimisht memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar më 17 qershor, i cili synonte uljen e tensioneve dhe rivendosjen e armëpushimit.
Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, bombardimet amerikane kanë shkaktuar të paktën 50 viktima dhe mbi 500 të plagosur.
Përveç bazave ushtarake, Irani njoftoi se kishte goditur edhe instalime ushtarake dhe infrastrukturë në Kuvajt, si dhe një bazë ajrore amerikane në Jordani. Bahreini, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të SHBA-së, u përfshi gjithashtu në objektivat e sulmeve iraniane.
Autoritetet kuvajtiane raportuan dëme të konsiderueshme në një objekt strategjik të naftës dhe në një impiant të shkripëzimit të ujit dhe prodhimit të energjisë elektrike. Në kulmin e vapës, me temperaturat që arritën 47 gradë Celsius, autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë, ndërsa Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i cilësoi sulmet iraniane ndaj infrastrukturës civile si “krime lufte”.
Edhe në Iran u raportuan dëme të mëdha. Autoritetet në provincën Hormuzgan thanë se bombardimet amerikane shkatërruan një stacion pompimi të ujit të detit dhe një transformator elektrik në një impiant shkripëzimi.
Situata mbetet tepër e tensionuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, ku trafiku i anijeve tregtare është reduktuar ndjeshëm. Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa, sipas saj, “të rivendoset qetësia në brigjet jugore të Iranit dhe në Ngushticën e Hormuzit”.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga arteriet më të rëndësishme energjetike në botë, pasi para shpërthimit të konfliktit përmes saj kalonte rreth një e pesta e konsumit global të naftës. Mbyllja e saj e re ka shtyrë SHBA-të të rivendosin bllokadën ndaj porteve iraniane, duke e çuar krizën në një nivel të ri përshkallëzimi.
