Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit ka thënë se Teherani nuk do të zhvillojë bisedime me Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka ftuar liderët iranianë që “ta thërrasin”.

“Nuk do të ketë negociata me Amerikën”, ka thënë zëvendësi-drejtuesi ushtarak, Yadollah Javani, ka transmetuar agjencia e lajmeve Tasnim raporton REL. Javani po ashtu ka pretenduar se Uashingtoni nuk ka guxim për të nisur aksion ushtarak kundër Iranit.

Tensionet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar prej kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Trump ka konsideruar se kjo marrëveshje, që frenon aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare, ka shumë mangësi.

Të mërkurën presidenti amerikan ka shtuar sanksionet ndaj këtij shteti, të vëna muaj më parë, duke i prekur tani industrinë e çekikut, pasi autoritetet iraniane kanë njoftuar se do të heqin dorë pjesërisht nga marrëveshja bërthamore, nëse nuk gjendet një mënyrë për t’iu ikur sanksioneve të SHBA-së.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: