Të paktën 12 persona janë vrarë në 24 orët e fundit në Iran si pasojë e sulmeve ajrore amerikane, duke e çuar në 50 numrin total të viktimave që nga nisja e fazës së fundit të përshkallëzimit të konfliktit, sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë.
Lajmi është raportuar nga CNN, e cila citon zëdhënësin e ministrisë, Hossein Kermanpour.
Sipas tij, të paktën 500 persona janë plagosur nga bombardimet amerikane që prej 27 qershorit, kur armëpushimi i brishtë në rajon nisi të shembej dhe armiqësitë u intensifikuan sërish.
Kermanpour bëri të ditur gjithashtu se mes viktimave të regjistruara gjatë muajit të fundit ndodhen pesë gra dhe dy fëmijë.
Bilanci i ri vjen në një kohë kur përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa sulmet dhe kundërsulmet në rajon po shtojnë frikën për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit.
