TIRANË- Pas sulmeve mbi deputetët e Kuvendit, ish-­këshilltari i presidentit për çështjet e mbrojtjes, Piro Ahmetaj, kthehet sërish me komente kundër qeverisë në pushtet. Pasi Kreu i Shtetit, Bujar Nishani firmosi lirimin e tij, pas tensioneve që krijoi me deputetët e mazhorancës në Kuvend, gjeneral Ahmetaj ka bërë një tjetër status në rrjetet sociale.

“Do kontribuoj me më shumë përgjegjshmëri që të tejkalohet ky udhëkryq kritik i atdheut tonë të përbashkët. Jam i bindur se me ndihmën e SHBA-ve do mundemi t’ia dalim, siç ia doli Italia e viteve ‘80-­’90, që shpëtojë nga mafia me pushtet”. Ky status duket se rrëzon pretendimet e tij të mëparshme se dikush kishte hyrë në adresën e tij në FB, duke sulmuar deputetët e majtë në Komisionin e Sigurisë si trafikantë.

Më parë Gjeneral Piro Ahmetaj është përballur në distancë me deputetin e LSI-së, Spartak Braho, pas letrës që ai në funksionin e kreut të Komisionit të Sigurisë kërkoi nga ministrja Kodheli marrjen e masave ligjore ndaj tij. Braho, reagoi pas një postimi të bërë nga gjeneral Ahmetaj, i cili përdori fjalë fyese ndaj deputetëve të majtë, duke i quajtur perversë e qelbësira. Ndërsa një përplasje të tillë pati edhe me deputetin Piro Lutaj, pasi Ahmetaj i quajti deputetët banditë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: