TIRANË

Ish-ministrat e Jashtëm kanë diskutuar çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE në studion e “Real Story” në News24 dhe atë që po ndodh me procesin e zgjerimit të Unionit.

Ish-ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha tha se mungon vullneti politik dhe sado të thuhet që po bëhen reforma, njerëzit vijojnë të ikin nga vendi. Ajo theksoi se ka nevojë për një klasë politike me mentalitet ndryshe.

“Ne kemi qenë gjithmonë e keqja e vetes. Shqipëria është vendi që ka qenë para Kroacisë. Diskutohet që të ishte anëtare e BE më përpara Kroacisë, sot jemi pas Malit të Zi, pas Serbisë dhe madje rrezikojmë të shkojmë në një rreth që nuk e ka aq të lehtë për t’iu bashkuar BE-së, si Kosova, Bosnja sepse kanë disa problematika.

Ne kemi qenë e keqja e vetvetes në ‘96, kur kishim shansin e madh të bashkoheshim me Bullgarinë dhe Rumaninë. Fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse rrodhën ato ngjarje. Kemi qenë pengesë për statusin e vendit kandidat, kur diskutohej para vitit 2014. Janë disa momente ku vendet anëtare mund të jenë të gatshme për të ecur përpara, por ne pengojmë vetveten sepse e kemi përdorur kartën e integrimit si triumf partiak dhe personal.

Kultura e politikbërjes shqiptare përcillej në një vend ku nuk shikoje shfaqje të tilla dhe as nuk konceptoheshin shfaqje të tilla. Çfarë është procesi i integrimit? Është modernizim, është transformim, është të ecësh përpara me disa standarde që ne nuk i kemi prekur ende. Do të thotë të mos kesh korrupsionin në këto nivele që ti ke sot, mos të kesh lidhje të krimit me politikën. Do të thotë të kesh zgjedhje të lira dhe të ndershme, e kundërta e këtyre zgjedhjeve të fundit që pati Shqipëria që shkoi vite dritë pas. Do të thotë të kesh standarde në ekonomi. Minimumi të biesh dakord për një strategji kombëtare për ekonomisë. Ka shkatërruar dhe biznesin, politika që ndërrohet sa herë ndërrohet një ministër. Kalojmë tek pjesa që kemi numrin e azilkërkuesve më të lartë dhe nga shtresa e mesme. Ne na mungon vullneti politik.

Brukseli patjetër do duhet të shkojë me një kartë fituese, se paratë që u hodhën nga ne janë në rrugën e duhur.

Do ishte më mirë të tregoheshim të vërtetë me njeri-tjetrin, por dhe me vetveten se ku jemi. Mund të themi reformat funksionojnë, por shqiptarët ikin. Kjo është përgjigjja e asaj që ka bërë politika deri sot. Këtu mungon vullneti politik për të bërë gjërat. Ka nevojë për një klasë politike me mentalitet ndryshe”, deklaroi Gjosha.

Nga ana tjetër ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha se ka ardhur koha që mekanizmi i vendimmarrjes në BE të ndryshojë duke iu referuar vetos. Ai theksoi se që BE të jetë efektive duhet që vendimet të merren me 2/3 e votave.

“Ka një defekt vetë BE. Mekanizmi i vendimmarrjes së BE ka ardhur koha që duhet të ndryshojë. Janë vendet anëtare ato që vendosin realisht dhe jo Komisioni Europian. Pavarësisht se Traktati i Lisbonës i dha KE shumë më tepër kompetenca se sa kishte edhe parlamenti, por në fund vendos Këshilli Europian, vendos një vend anëtar i BE. Ndryshe vendimmarrja në BE do të jetë gjithmonë e tillë. Nuk e bëjnë sepse vendet e vogla anëtare humbasin privilegjin se ruajnë veten e tyre nga të mëdhenjtë. Mekanizmi i vetos duhet të ndryshojë me 2/3 e votave. Që ta bësh BE efektiv duhet hequr dorë nga e drejta e vetos dhe duhet vendimet të merren me 2/3. Po nuk u bë kjo nuk zhbllokohet procesi i vendimmarrjes në BE”, tha Milo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb