Pas denoncimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, në lidhje me sigurinë e vaksinave që kanë ardhur në Shqipëri dhe pretendimit se ato janë të skaduara, ka reaguar Instituti i Shëndetit Publik.

Përmes një njoftimi, këtë denoncim, ISHP e konsideron si përpjekje të dështuar për të dekurajuar qytetarët nga e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund pandemisë dhe t’iu rikthyer jetës normale.

Në njoftim saktësohet se vaksinat janë të sigurta dhe janë sjellë në Shqipëri brenda të gjitha standardeve të ruajtjes. Më tej thuhet se “çdokush që hedh baltë mbi sigurinë e procesit, dëmton jetën e qytetarëve”.

“Përdorimi i procesit të vaksinimit për qëllime të fushatës zgjedhore është një përpjekje e dështuar për të dekurajuar qytetarët nga e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund pandemisë dhe për t’ju kthyer jetës së dëshiruar prej 14 muajsh .
Vaksinat janë të sigurta, janë sjellë në Shqipëri brenda të gjithë standarteve të ruajtjes .
Sjellja e tyre është kryer nën mbikëqyrjen e agjensive përkatëse dhe të shoqëruara me dokumentacionet përkatëse.
Kushtet e ruajtjes, shpërndarja dhe aplikimi i tyre kryhet brenda të gjithë standarteve teknike, siç është vepruar me të gjitha vaksinat e programit për dekada të tëra.
Indeksi më i lartë i këtyre praktikave është mbulesa vaksinale në Shqipëri dhe kërkesat e qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID -19.
Autoritetet shëndetësore kanë garantuar vaksina të sigurta dhe po vijojnë me aplikimin e tyre sipas planit kombëtar të vaksinimit.
Çdokush që hedh baltë mbi sigurinë e procesit, dëmton jetën e qytetarëve!
Vaksinohuni! Vaksinimi shpëton jetë!”, thuhet në njoftimin e ISHP.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb