VLORË- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ka nisur sot një tur inspektimesh në Vlorë dhe në bregdetin e jugut të vendit, si pjesë të programit të masave të ndërmarra për garantimin e një turizmi të sigurt dhe të shëndetshëm në të gjithë zonat turistike të vendit.

Në një prononcim për median, Eltar Deda, Kryeinspektor, deklaroi mes të tjerash se, “ky inspektim, ka si qëllim vëzhgimin në terren të masave të marra nga strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për garantimin e një turizmi të sigurt dhe të shëndetshëm në të gjithë zonat turistike të vendit”.

Sipas tij, strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në të gjithë vendin i kanë paraprirë sezonit turistik me një plan të dorëzuar pranë ISHSH qendror në mars 2015 dhe e kanë ndjekur punën në vazhdimësi me inspektime dhe raportime të përditshme.

“Në inspektimet e kryera në periudhën para hapjes së sezonit turistik veror u lanë një sërë detyrash për të gjitha subjektet turistike, parqet, muzetë, pazaret karakteristike, shtëpitë muze etj, restorantet, strukturat akomoduese hotele, motele, bujtinat, kampet, pensionet, fshatrat turistike, komplekset turistike, subjektet prodhuese, subjektet prodhuese të produkteve ushqimore me destinacion human, subjektet tregtare të produkteve ushqimore me destinacion human, sistemet e ujit të pijshëm, impiantet e trajtimit të ujërave zeza, plazhet dhe pishinat”, theksoi Deda, ndërkohë që shtoi se, në këtë kuadër, në të gjithë vendin janë kryer rreth 2800 inspektime para fillimit të fillimit të sezonit turistik veror dhe aktualisht, po realizohen mesatarisht 600 kontrolle në javë.

Krahas kësaj, janë ushtruar kontrolle në subjektet prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit ku janë kryer deri një ditë më parë, inspektime në 229 subjekte dhe janë marrë mostra të cilat po i nënshtrohen analizave në 200 prej tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: