Një ngjarje e paprecedentë ka goditur banesën e kardinalit 97-vjeçar shqiptar, Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, pikërisht gjatë kohës që ai ndodhej në Londër për një takim zyrtar me Mbretin Charles III. Autorët arritën të depërtonin brenda apartamentit të tij duke shembur një pjesë të murit dhe duke hapur derën e blinduar me dalta, nga ku grabitën sende me vlerë mbi 30 mijë euro.

Gjatë grabitjes, banesa ku kardinali jeton me nipin e tij, Tonin Simoni, ishte tërësisht e zbrazët. Pasi u larguan rreth orës 13:00 dhe u kthyen në orën 23:00, familjarët u përballën me një skenë të vërtetë shkatërrimi: sirtarë të përmbysur, valixhe të hapura dhe daltat e përdorura nga autorët të braktisura në korridor.

Nga banesa u morën para, bizhuteri floriri, medalje si dhe një vulë e çmuar. Ajo që ngriti pikëpyetje të mëdha te hetuesit ishte marrja e lejes së qëndrimit të vetë kardinalit Ernest Simoni.

Nipi i kardinalit, Tonin Simoni, u shpreh i bindur se familja e tyre ka qenë nën vëzhgim të rreptë: “Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin… Jam i bindur se na kishin vëzhguar, e dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi. Vjedhja e lejes së qëndrimit është e çuditshme; nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë.”

Ekspertët e policisë shkencore dhe karabinierët kanë sekuestruar kamerat e shumta të sigurisë në Piazza Duomo — një nga zonat më të monitoruara të qytetit — ndërsa mbetet enigmatike se si askush nga fqinjët, përfshirë priftin që banon një kat më poshtë, nuk dëgjoi zhurmën e shembjes së murit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb