Konfirmohen dyshimet që Shqipëria kishte për zgjedhjen e stadiumit që kombëtarja Italiane do të vendoste të zhvillohej ndeshjen e radhës për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Federata Italiane e Futbollit donte të shmangte një qytet ku kishte shumë shqiptarë dhe kështu ka ndodhur.

Ndeshja e skuadrës tonë kombëtare kundër Italisë, do të luhet në Palermo, stadium me kapacitet 36 400 tifozë. Lajmi është konfirmuar sot në drekë. Takimi Itali- Shqipëri, i programuar sipas shortit për tu luajtur më datë 24 mars 2017, do të luhet pikërisht në stadiumin “Renzo Barbera”.

Kjo është e hera e parë që këto dy skuadra kombëtare, do të ndeshen zyrtarisht me njera-tjetrën. Shqipëria dhe Italia, në nivel ekipesh kombëtare janë ballafaquar vetëm njëherë, në një miqësore të zhvilluar në Gjenovë në nëntor të vitit 2014. Duke njohur interesimin e madh për ndeshjen e marsit, ky veprim i FIGC mund të duket i çuditshëm, pasi tifozët shqiptarë do të kishin mbushur edhe stadiumet më të mëdha italiane si “Olimpico” apo “San Siro”. Por kjo është një strategji e qartë e Federatës Italiane për të kufizuar praninë e tifozëve kuqezi në stadium dhe për të mos e kthyer këtë në një ndeshje “në shtëpi” për Shqipërinë. FIGC është një nga Federatat që ka krijuar klubin e tifozëve të saj të cilët prenotojnë biletat që në fillim të sezonit. Në këtë mënyrë, ajo ka siguruar që pjesa më e madhe e biletave të kësaj ndeshje të përfundojnë në duart e mbështetësve të saj, ndërsa tifozët e zëshëm shqiptarë të jenë të paktë në stadium edhe nëse disa syresh dalin në shitje.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb