ITALI
Vdes imunologu Fernando Aiuti, pionier i kërkimit dhe luftës kundër Sidës. Ai ishte shtruar në spitalin Agostiono Gemelli në Romë.
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për vdekjen e imunologut, për të cilin nuk përjashtohet vetëvrasja. Ai ra nga një lartësi më shumë se dhjetë metra, nga shkallët e repartit të përgjithshëm të Poliklinikës Gemelli.
Trupi i profesorit Fernando Aiuti është gjetur rreth orës 11 në dysheme, pas një rënie nga shkallët e katit të katërt të repartit ku ishte shtruar.
Sipas një deklarate të bërë nga Spitali, Profesori ishte shtruar në repartin e Mjekësisë së Përgjithshme të Fondacionit Poliklinik Universitar Agostiono Gemelli IRCC për tu trajtuar për një problem të rëndë ishemije prej së cilës vuante prej disa kohësh dhe që e kishin detyruar edhe herë të tjera të shtrohej në spital edhe me trajtime invazive.
Vdekja e tij është shkaktuar nga një traumë e marrë pas rënies nga shkallët.
Ai bëri bujë në lajmet e kronikës në 1991 kur puthi në buzë Rosaria Lardino, seropozitive prej 8 vitesh, për të treguar që Sida nuk mund të merrej nga puthja.