Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva të premten akuzoi sërish Izraelin për “gjenocid” ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës, disa ditë pasi ai ndezi një ‘stuhi’ diplomatike duke krahasuar operacionet ushtarake izraelite kundër Hamasit me Holokaustin.

“Ajo që po bën shteti i Izraelit nuk është luftë, është gjenocid, sepse po vret gra dhe fëmijë”, tha Lula gjatë një daljeje për mediat në Rio de Zhaneiro. Të hënën, qeveria Netanyahu tha se presidenti brazilian është “persona non grata” në Izrael derisa të tërhiqet nga qëndrimi i tij “anti-semitik”.

Megjithatë, presidenti brazilian jo vetëm që nuk tërhoqi, por ritheksoi pozicionin e tij të diskutueshëm, duke përdorur vazhdimisht termin “gjenocid”. “Është gjenocid! Janë mijëra fëmijë që kanë vdekur ose janë zhdukur. Nuk po vdesin ushtarët, por gratë dhe fëmijët në spitale. Nëse ky nuk është gjenocid, nuk e di se çfarë është”, theksoi presidenti brazilian.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb