Kryeredaktori i revistës “Respekt”, Erik Tabery, ka publikuar në faqen online të revistës përgënjeshtrimin e lajmit të tyre të botuar pak ditë më parë, lidhur me një grup kriminal “që vinte nga Shqipëria”. Njëkohësisht Tabery, në artikullin e tij u kërkon ndjesë lexuesve dhe “të gjithë shtetasve shqiptarë për këtë gabim të rëndë”.
Kjo u mundësua pas kërkesës energjike zyrtare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Pragë, drejtuar kryeredaktorit të revistës “Respekt” që, në zbatimin të ligjit, pas përgënjeshtrimit zyrtar të këtij informacioni të pasaktë nga Zv/Prokurorja e Pragës, JUDr Ivona Horská, “Respekt.cz” të përgënjeshtronte lajmin e rremë dhe njëkohësisht, të kërkonte ndjesë për dëmin e shkaktuar.
Më poshtë, teksti i artikullit të kryeredaktorit, Erik Tabery në shqip (përkthyer nga ambasada):
“Korrigjim teksti “Babish u shpëton gangsterëve””
Në Artikullin Babish u shpëton gangsterëve kemi bërë një gabim shumë të rëndë dhe aspak të hijshëm. Kemi shkruar se: “Pjesa më e madhe e kriminelëve vinin nga Shqipëria dhe piketimet për vjedhjet i merrnin prej një bashkëpunëtori çek.” Prokuroria më vonë ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se nga ky vend nuk ishte asnjë prej pjesëtarëve të bandës kriminale. Ky gabim na rëndon dyfish, pasi shpesh kritikojmë mediat e tjera, kur përmendet kombësia e personave që kryejnë vepra penale edhe në rastet kur nuk është e nevojshme. Në këtë mënyrë, duke parë se si u bë ky gabim morëm masat e duhura që të mos përsëritet në të ardhmen Për këtë gabim u kërkojmë shumë ndjesë lexuesve dhe mbi të gjitha shtetasve të Shqipërisë”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb