Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanin, Taulant Balla, zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët në Elbasan.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se qeveria paraardhëse nuk kishte investuar asnjë para për pastrimin e kanaleve dhe se niveli i përmbytjeve asokohe ishte shumë më i lartë se sot.

“Kur erdhëm në vitin 2013 gjetëm një qeveri që nuk kishte investuar asnjë para për pastrimin e kanaleve vaditëse. Të gjithë e kujtojmë se në çfarë niveli ishte niveli i përmbytjeve dhe në çfarë niveli është sot. Sot në Elbasan janë me qindra kilometra kanale kulluese dhe vaditëse, flas në nivel qarku, të realizuara jo vetëm me fonde të qeverisë qëndrore, por edhe të asaj vendore.

Fshatari do nga shteti plehrat kimike pa TVSH, naftën pa akcizë pa taksë karboni dhe do dhe kanalet vaditëse se krahët i ka vetë.

Balla gjatë takimit nuk ngurroi të thumbonte as kandidatët e dy partive opozitare, PD dhe LSI.

Jam i sigurt që në këtë fushatë, si gjithmonë do ju vijnë ca kandidatë ‘allasoj’, kryesisht nga PD dhe LSI, që mund t’ju premtojnë që do vijnë t’ju punojnë dhe token se e kane për zakon rrenën, por e sigurtë është që në asnjë ëndërr mos e imagjinoni që mund t’ju vijë deputeti t’ju punojë tokën. Qeveria duhet t’ju garantojë juve atë që keni nevojë nga qeveria.
Balla foli edhe me shifra ku theksoi se në qarkun e Elbasanit, për më shumë 2993 fermerë, janë ndarë rreth 5 miliardë lekë mbështetje për ta nga AZHBR. Sipas Ballës kjo është një shumë e konsiderueshme që nuk ka të krahasuar me ato të vitit 2013.

Ai gjithashtu nënvizoi edhe një nga arsyet pse qeverisë i duhet mandati i tretë duke e konsideruar atë edhe si ‘Thembra e Akilit’

“Ajo që është dhe ‘Thembra e Akilit’ e këtij procesi si dhe arsyeja pse ne kemi nevojë për një mandate të tretë të PS në Elbasan, është që ne ende nuk e kemi arritur ta shndërrojmë Elbasanin si qark në një destinacion të rëndësishëm të agroturizmit. Tek ferma juaj ose tek pika të tjera, pavarësisht se ju prodhoni pjeshkë të nivelit europian do të ishte mirë të kishte disa tavolina ku të shërbeheshin produktet tuaja.
Viti që shkoi ishte viti më i lartë me prodhimin e vajit të ullirit në vendin tonë. Nëse përmirësojmë edhë cilësinë estetikisht, ne do ta shesim më shtrenjtë vajin. Është e papranueshme që mungesa e ambalazhimit të ndikojë në uljen e çmimit”, theksoi Balla.

Në fund të fjalës së tij Sekretari i Përgjithshëm i PS Balla theksoi se bujqësia është në fokusin e Partisë Socialiste, duke vënë në dukje se niveli i eksporteve, është rritur ndjeshëm në krahasim nuk krahasohemi me çfarë PS gjeti në vitin 2013.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb