Postimi im i djeshëm ka ngjallur shumë më tepër interes seç e meritonte. Falenderoj gjithë ju që e lexuat dhe, sidomos ju që komentuat. Ju kërkoj ndjesë se nuk jam përgjigjur në secilin. Siç është e zakonshme për fejsbukun, nuk munguan dhe komentet e tipit “gjëndet Kola në punë’, d.m.th komente që, megjithëse autorët e tyre dukej që kishin njohuri të vobekta për përkatësitë etnike dhe ato kombëtare, thoshin fjalën e tyre, doemos me tërsëllëmë e arrogancë.

E kam zakon që këtyre lloj komentesh nuk u përgjigjem, gjithsesi që të mos u mbetet hatri miqve të kësaj kategorie, kam zgjedhur të përgjigjem me përfaqësi, d.m.th vetëm njërit që, mua më ngjau më tipiku.

Ky zotëri, pasi më pyeste se kush më pyeti në jam apo s’jam shqiptar, hidhej degë më degë e s’thoshte një fjalë të vetme për temën që trajtoja. E di që përgjigjja ime është po ashtu, por po ua përcjell thjesht për t’i shtuar pak humor atmosferës së djeshme:

“Me sa shoh unë, o zotri nga Ha Merr Ika, ti ose ke lexuar vetëm titullin që i kanë vënë gazetat postimit tim në fb kur e kanë marrë pa më pyetur, ose nuk je në gjendje të kuptosh atë që lexon. Dyshoj se do jetë njera nga këto të dyja ngaqë qysh në paragrafin e parë e shpjegoja pse thosha që vetëndihem shqiptar etj, etj.,

Në është shkaku i parë, domethënë të kesh lexuar vetëm titullin në gazetë dhe të jesh kthyer këtu tek hapësira ime për të pëgërë, dëshmon se je një zotëri që ngordh për t’u dukur.

Në është shkaku i dytë, d.m.th e ke lexuar po nuk e ke marrë vesh, atëherë puna është më zi: qënke analfabet funksional dhe kjo mangësi nuk ndreqet dot tek të moshuarit, si u nise do grisesh.

Uroj të kesh bërë prokopi në “Ha Merr Ikë”, por për një gjë të mëshiroj: Si o burrë i dheut ndenje kaq kohë atyre anëve dhe nuk arrite që nuk arrite të nxeje një nga parimet bazë të asaj shoqërie? Llafin e kam për parimin: kij respekt për kohën tënde e sidomos për të tjetrit.

Që nuk e di se ç’është respekti për kohën e të tjerëve e dëshmon me çarçafin që ke shkruar, i cili është tre katër herë më i gjatë se postimi im përfund të cilit ti komenton. Ç’kusur të kanë të tjerët, miq e mikesha të miat, të dëgjojnë llafet e tua, pa lidhje me temën, sikur të ishe në një mejhane fshati që kutërbon raki e kukurec, pas mesit të natës?

Ndjesë se e zgjata, po sipas kokës festen. Ngado që ta rrotullosh mëndja të shpie më një qafë: me ç’duket nuk ke parë Amerikë po të ka parë”.

Postimi që nxiti polemika në rrjet

Vetëm një grek e bir greku thotë se Bubulina është greke, komenton një nga miqtë përfund postimit tim të djeshëm. Në fakt unë vetëndihem shqiptar e bir shqiptari dhe jam krenar për këtë. Mendja ma do që po kaq krenar, në mos edhe më shumë, do të ndihesha po të isha grek, bashkëatdhetar i Sokratit, Platonit e Eskilit, i Kazanzaqit, Kavafit, Teodoraqit etj., etj.,

Po megjithëse vetëndihem shqiptar nuk e quaj sakrilegj të them se Bubulina është heroinë greke me origjinë arbërore. Vë re se disa nga komentuesit kanë koncept gjithsesi të diskutueshëm për përkatësinë etnike e kombëtare, e shohin si të bërë vetëm nga mëma e baba, nga origjina e të parëve.

Parë kështu shqiptari mbetet shqiptar dhe vetëm shqiptar pavarësisht se në ç’vend rritet, në ç’institucione formohet, me ç’kulturë brumoset, për cilën shoqëri e për cilin popull punon e përpiqet etj. etj.

Ndruaj se një konceptim i tillë i përkatësisë fqinjëron me racizmin, izëm që njerëzimit i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë shumë.

Por ka edhe diçka tjetër, duke bërë tifo për përkatësinë e njerëzve të shquar që janë formuar e brumosur në vende të tjera dhe për të cilët shoqëria dhe institucionet tona nuk kanë investuar gjë, rrezikojmë t’i bëjmë keq vetes. Jo vetëm se e ngopim krenarinë me lugë të zbrazur, por edhe nisim të flemë në dafina për të kaluarën e lavdishme e kështu të mos e vrasim dhe aq mendjen për gjendjen e mjerueshme në të cilën i kemi shtetin dhe instutucionet. Dhe kështu, të yshtur pas tifozllëqesh për të djeshmen, harrojmë të sotmen e dëmtojmë të nesërmen.

(Nga cikli ‘Katakombet e kombit’)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: