Transferimet e lojtarëve, dështimi i klubeve shqiptare në Kupat e Europës, problemet në menaxhimin e tyre dhe në fund… Kombëtarja. Adrian Aliaj ka për të gjithë dhe nuk i kursen kritikat për mënyrën se si po shkojnë gjërat në futbollin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 46-vjeçari që drejton prej vitesh një kompani menaxhimi futbollistësh, e konsideron ecurinë e përfaqësueses pa asnjëlloj progresi për gjithë kohën që drejtohet nga Edi Reja. Ish-mbrojtësi vlonjat i kuqezinjve deklaroi se është i gatshëm të ndihmojë klubin e Partizanit për atë që ai di të bëj më mirë.

Adrian, jemi në fazën më të nxehtë të merkatos së verës. Si janë këto ditë për një agjent, për më tepër që ju drejtoni prej vitesh një kompani menaxhimi për futbollistët?

Në këtë moment që flasim, shumicën e lojtarëve që menaxhoj, i kam në nivele serioze. Atje ku janë po bëjnë mirë dhe kjo më kënaq. Pastaj, duhet të kuptojmë që jemi në një periudhë tranzicioni edhe në futboll, pas atyre që kanë ndodhur në këto dy vitet e fundit. Fillimisht COVID-i, më pas rregullat e reja të UEFA-s me “Fair-Play”-n financiar në klube dhe së fundmi lufta në Ukrainë. Po flasim për një moment të vështirë në transferimet e lojtarëve, sidomos atje ku duhen pagesat. Po të shikosh, 70 % e lëvizjeve janë bërë me huazime dhe opsione për blerje. Lojtarët më shumë po presin të mbarojnë kontratat, pasi gjendja aktuale në botë është e atillë që ndikon direkt në futboll. Rritja e çmimeve ka ndikim të drejpërdrejtë, pasi duhet të kuptojmë që ky sport financohet nga gjërat jashtë futbollit në shumicën e rasteve.

Po thoni që ka pasur probleme financiare me lojtarët që keni në menaxhim, duke e ndier në klubet përkatëse?

Po, sigurisht. Ka pasur reduktime të rrogës, sidomos në periudhën e COVID-it. Megjithatë, për lojtarët që menaxhoj, jam në një situatë ku po negocioj më tepër për rinovime të kontratave. Pra, për ata që janë në nivele të larta dhe luajnë në klube shumë serioze.

Më konkretisht, cilët janë?

Është Amir Rrahmani te Napoli dhe Mërgim Vojvoda te Torino. Drejtuesit e dy klubeve janë shumë të kënaqur dhe nuk duan të lëshojnë lojtarët, prandaj dhe në këtë moment po bisedojmë për rinovimin e kontratave.

Cila ka qenë hera e fundit që keni folur me një president të Kategorisë Superiore?

Jam vetofruar te Partizani, për vetë nostalgjinë që kam për këtë klub. Unë vërtet jam nga Vlora, por jam futbollist i formuar dhe i rritur te Partizani, duke filluar nga paratërinjtë, të rinjtë dhe ekipi i parë. Kam dalë kampion me fanellën e kuqe dhe u bëra lojtar i Kombëtares me një karrierë serioze. I jam ofruar zotit Demi dhe jam i gatshëm të asistoj në menaxhimin e gjërave në klubin e Partizanit. Jam i hapur t’i këshilloj për çfarë kanë nevojë, pa asnjë lloj problemi.

Si e keni parë këtë periudhë Kombëtaren, pasi po diskutohet shumë se po vjen brez i talentuar lojtarësh, por që rezultatet mungojnë?

Është e kotë të flas unë si Adrian për një trajner që ka një eksperiencë shumë të madhe si Edi Reja, me mijëra ndeshje në Serinë A, duke kaluar disa prova. Mirëpo, fakti është që në tri vitet e punës së tij në Kombëtare, ne ende nuk kemi një ekip të stabilizuar. Ende nuk kemi një formacion 80 % të bërë dhe jemi gjithë kohës me një sistem loje 3-5-2, që nuk na përshtatet aspak me ata lojtarë që kemi. Domethënë, këtu është problem i madh menaxhimi i gjërave teknikisht. Po flasim për një Kombëtare shqiptare që nuk ka bërë asnjë milimetër progres dhe kjo është përgjegjësia e trajnerit. Mediat mund të kenë qenë shumë kritike ndonjëherë, por kam parë edhe ish-trajnerë që sulmojnë. Megjithatë, nuk duhet të jemi aq të ashpër, sepse në fund të fundit, ata trajnerë që flasin sot, kur kanë drejtuar Kombëtaren, kanë qenë amatorë komplet. E dinë vetë ata, por fakt është që në këto tri vite, nuk kemi as skuadër kompakte dhe as një sistem loje që funksionon. Dihet kush është fajtori, sepse problemi është teknik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: