Skandali i publikimit të videove intime vijon të jetë në qendër të diskutimeve. Në emisionin “News24 Fundjavë”, të moderuar nga Megi Latifi, u diskutua mbi rastin e publikimit të videove intime të kompozitorit Adi Hila, ku janë përfshirë edhe emra të njohur të showbizit shqiptar.
Artistja Linda Kalemi tha se raste të tilla kanë ekzistuar edhe para viteve ’90 dhe rrëfeu se edhe vetë është përballur me një fenomen të tillë.
“Këto ngjarje kanë ndodhur edhe para viteve 1990. Unë jam një nga viktimat e këtyre fenomeneve të asaj kohe. Duhet të kallëzohet, do t’u lehtësojë dhe do t’u ngrejë kokën viktimave. Është më e rëndë filmimi sesa një flirt që ata mund të kenë bërë”, u shpreh Kalemi.
Ndërsa Avokuese e të Drejtave të Njeriut Voltiza Prendi e cilësoi shkelje të të drejtave të njeriut regjistrimin e një personi pa dijeninë e tij, duke theksuar se kjo vlen edhe në rastet kur materiali pretendohet se është regjistruar vetëm për përdorim personal.
“Këndi i kamerës ishte i qartë. Këtu është shkelur e drejta e njeriut. Edhe nëse do ta regjistronte vetëm për regjistrim personal, pa e shpërndarë, duhet të vihej në dijeni personi tjetër që po regjistrohej”, tha ajo.
Prendi u ndal edhe te reagimet në rrjetet sociale pas publikimit të videove, duke argumentuar se viktimat janë përballur me një tjetër formë dhune përmes komenteve dhe gjuhës së përdorur ndaj tyre.
“Viktimat janë riviktimizuar nga një mizogjeni e thellë, nga një llum komentesh në rrjetet sociale. Paskemi qenë një shoqëri kaq e pisët sa kemi vjellë një llum”, u shpreh Prendi
Ajo theksoi gjithashtu nevojën që rastet të denoncohen, ndërsa shtoi se pasojat psikologjike nuk prekin vetëm personat e përfshirë drejtpërdrejt, por edhe familjarët e tyre.
“Edhe viktimat kanë një përgjegjësi tashmë ta denoncojnë rastin. Familjet e tyre duhet të trajtohen me psikologë, është një dhunë psikologjike ajo që po u bëhet”, tha ajo.
