Persona të famshëm dhe tapet i kuq, filmi i ri i James Bond, “Die can wait” (Vdekja pret), më në fund ka arritur në ekranin e madh, gjatë një parapremiere të realizuar dje në mbrëmje në Londër dhe, këtë herë, 007 ka për mision jo vetëm të shpëtojë botën, por edhe kinemanë, e vëvë në sprovë nga bllokimi antiCOVID-19.

Kjo është hera e fundit që i fuqishmi britanik, Daniel Craig, 53 vjeç, vë maskën e agjentit më të famshëm në shërbim të Madhërisë së Saj.

Emri i pasardhësit të tij mbetet ende një mister.

Dhe, për këtë aventurë përfundimtare, ai nuk është kursyer aspak.

Ndjekje, shpërthime, xhirime … pjesa prezantuese sugjeron një episod intensiv, të pasur me marifete e pajisje, në traditën e pastër të 007-s.

Me një vit e gjysmë vonesë për shkak të pandemisë, ky film prej dy orësh e 43 minutash, James Bond më i gjatë, është zbuluar në premierën botërore në Royal Albert Hall, para se të dalë në kinema.

“I lehtësuar”, sepse James Bond është “bërë për në kinema”, Daniel Craig siguroi për Sky News se ai “nuk kishte kujtime të këqija” në 15 vitet e tij nën lëkurën e agjentit sekret.

Në tapetin e kuq, producentët Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli, si edhe regjisori Cary Joji Fukunaga (“Beasts of No Nation”, “True Detective”) iu bashkuan aktorëve Daniel Craig, Rami Malek dhe Léa Seydoux, si edhe këngëtares Billie Eilish, e cila performon këngën zyrtare të filmit, e titulluar gjithashtu “No Time to Die” (Nuk është koha për të vdekur).

Krahas këtyre yjeve dhe Princave Charles dhe William, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, ishin të pranishëm gjithashtu në sallën prestigjioze të shfaqjeve edhe punonjës të shëndetësisë, si një nderim për punën e tyre gjatë pandemisë.

Fillimisht i planifikuar për në mars 2020, publikimi i këtij episodi të 25-të të aventurave të agjentit sekret pritet me padurim nga fansat, por edhe nga operatorët e kinemasë, që kërkojnë të mbushin sallat e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: