Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, i është drejtuar ashpër ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend.

Ajo i ka thënë se nuk duhet të akuzojnë parlamentin për hajnë, pasi atit i është vendosur një damkë botërore nga SHBA.

“Që kur është kthyer në parlament kjo hije e së shkuarës, duket sikur edhe ata në botën e përtejme kanë deputetin e tyre. Kujt i thua hajn, ti që je shpallur hajn botëror. Ke marrë nga SHBA damkën përfundimtare. Ik në shtëpi o Sali shijo perëndimin e diellit, se moshë të thyer je, se nuk ka më agim për. Të dha Shqipëria gjithçka e i le vetëm turpin që nuk do të ndahet kurrë”, tha Spiropali.

Nga ana tjetër, Berisha tha se nuk iu drejtua Spiropalit me fjalët e tij, por kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës. Ai shtoi më tej se është pro projektit të Skavicës së Vogël.

“E vërteta mbizotëron, kam qenë për Skavicën e vogël e jam prapë për të. Ti nuk je Spiropali, por je zonja Lindita Nikolla. Janë cështje madhore këto. Nuk e mohoj, jo. Është e vërtetë jam prapë për Skavicën e vogël. I them diranëve kudo që janë të mos pranojnë projektin e Skavicës së Madhe”, tha Berisha.

Ndërsa deputeti Tritan Shehu tha:

“Zonja kryetare, të flasësh në këtë mënyrë është e papranueshme në një Kuvend. Të tilla fyerje vijnë këtej lart. Ju kërkoj të vendosni disa parime dhe mos i ndërprisni fjalën deputetëve kur duan të bëjnë replikë, me të drejtën e replikës, kur replika do ishte shumë pak për atë që ndodhi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb