Në një takim të ish-shteteve sovjetike të enjten, presidenti rus Vladimir Putin u bëri thirrje liderëve që ta ndihmonin atë të krijonte një “rend botëror më të drejtë” dhe pretendoi se Perëndimi po nxiste konflikte në territorin e tyre.

Putin ua drejtoi komentet e tij krerëve të agjencive të inteligjencës për atë që njihet si Komonuelthi i Shteteve të Pavarura, i cili përfshin nëntë ish-republika sovjetike.

“Ne jemi dëshmitarë të një procesi të vështirë të formimit të një rendi më të drejtë botëror,” tha Putin.

“Ne e dimë gjithashtu se Perëndimi po përpunon skenarë për nxitjen e konflikteve të reja në hapësirën e CIS. Por ne tashmë kemi mjaft prej tyre. Mjafton të shohim se çfarë po ndodh tani midis Rusisë dhe Ukrainës, çfarë po ndodh në kufijtë e disa vendeve të tjera të CIS”.

Putin u kërkoi vendeve të tjera anëtare të bashkëpunojnë me shërbimet ruse të inteligjencës dhe agjencitë e sigurisë.

Nëntë vende përbëjnë Komonuelthin e Shteteve të Pavarura – Azerbajxhani, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Putin dhe liderë të tjerë të shquar rusë e kanë inkuadruar vazhdimisht pushtimin e Ukrainës si pjesë e një lufte më të gjerë për të ruajtur lirinë nga fuqia perëndimore dhe për t’i rezistuar armiqve “rusofobë”.

Udhëheqësit perëndimorë, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, e hedhin poshtë me forcë atë narrativë, duke thënë se Rusia po bën një grabitje të dhunshme toke që synon aneksimin e territorit ukrainas.

Në katër rajone të okupuara të Ukrainës, analistët besojnë se Putini do të përdorë referendumet e mbështetura nga Rusia – të mbajtura në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – për t’i cilësuar luftimet si mbrojtje të territorit të vendit të tij, në vend të një pushtimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: