Një grup banorësh të fshatit Kryezjarr, në Bashkinë e Elbasanit, zhvilluan paraditen e sotme një protestë pranë nënstacionit të ri elektrik, duke ngritur shqetësimin për dëmet që, sipas tyre, janë shkaktuar në infrastrukturën rrugore rurale gjatë punimeve të kryera nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Banorët deklaruan se prej më shumë se dy vitesh përballen me vështirësi të shumta për shkak të degradimit të rrugëve që lidhin zonën me parcelat bujqësore dhe sipërfaqet e pemtarisë. Sipas tyre, mjetet e rënda që u përdorën gjatë ndërtimit të nënstacionit elektrik dëmtuan ndjeshëm segmentet rrugore, duke e bërë të vështirë lëvizjen e fermerëve dhe transportin e produkteve bujqësore.
Protestuesit të cilët mbanin në duar pankarta të shumta ,pohuan se në fillim të projektit kishin marrë garanci nga përfaqësues të OST-së se infrastruktura e dëmtuar do të rehabilitohej pas përfundimit të punimeve. Megjithatë, edhe pse nënstacioni ka përfunduar prej kohësh dhe është vënë në funksion, ata thonë se asnjë ndërhyrje konkrete nuk është kryer për rikthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme.
Gjatë protestës, banorët kërkuan që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt dhe të marrin masa për rikonstruksionin e akseve të dëmtuara, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik dhe jetën e përditshme.
Ata paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, deri në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për rehabilitimin e rrugëve që shërbejnë për qindra banorë dhe fermerë të zonës.
