Një i ri që ka ardhur nga Brukseli për t’iu bashkuar protestave në Tiranë ka bërë deklarata të forta kundër qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar situatën në vend si një formë diktature moderne. Ai tha se ka mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë për të marrë pjesë në protestë, ndërsa kritikoi edhe premtimin e kryeministrit për shpërblimin prej 2500 eurosh për efektivët e policisë të angazhuar në vijën e parë.
Në një prononcim, i riu pretendoi se në Tiranë ka pasur probleme me funksionimin e bankomateve dhe furnizimin me karburant, të cilat i lidhi me urdhra të kryeministrit.
“Kam mbërritur dy ditë më parë. Jetoj në një sistem në Tiranë, nuk punojnë bankomatet dhe nuk na furnizojnë karburantet me urdhër të Ramës. Kjo është diktaturë moderne. Jemi në luftë, ne ose ata”, u shpreh ai.
I riu komentoi edhe vendimin e njoftuar nga Rama për t’u dhënë 2500 euro shpërblim efektivëve të angazhuar në protestat e ditëve të fundit. Ai e cilësoi këtë premtim si një përpjekje për të ndikuar te policia përmes parave, ndërsa vuri në pikëpyetje gatishmërinë e efektivëve për të rrezikuar jetën për këtë shumë.
“T’u premtosh policëve 2500 euro që të vijojnë të bëjnë punën, është ajo që di të bëjë më mirë, korrupsioni. A janë gati ata të japin jetën për 2500 euro, sepse ne jemi gati”, deklaroi protestuesi.
Protestat e të rinjve në Tiranë vijojnë prej disa ditësh, ndërsa përplasjet me policinë dhe shpërblimi i premtuar për efektivët kanë nxitur reagime të forta. Pjesëmarrja e qytetarëve nga diaspora është shoqëruar me thirrje për ndryshim politik dhe kundërshtim të mënyrës se si qeveria po menaxhon situatën.
