Kriminelët kibernetikë të Koresë së Veriut kanë arritur të vjedhin më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta gjatë 18 muajve të fundit, duke përdorur metoda gjithnjë e më të sofistikuara mashtrimi, përfshirë inteligjencën artificiale, videokonferencat e falsifikuara dhe manipulimin psikologjik.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), paratë e përfituara nga këto sulme dyshohet se përdoren për të financuar regjimin e Kim Jong-un dhe programet e tij ushtarake.

Skema e zbuluar nga autoritetet është quajtur “FaceStealer”. Hakerët merrnin fillimisht kontrollin e llogarive të personave të njohur për objektivat e tyre dhe më pas ftonin punonjës të kompanive të kriptomonedhave dhe zhvillues softuerësh në takime online.

Gjatë videotelefonatave, viktimat përballeshin me video të regjistruara paraprakisht të personave të cilëve u besonin, si dhe me pamje të manipuluara të figurave të njohura të industrisë së kriptomonedhave. Në këtë mënyrë, sulmuesit krijonin përshtypjen se komunikimi ishte i vërtetë.

Pasi biseda kishte nisur, mashtruesit pretendonin se kishte probleme teknike, kryesisht me audion, dhe kërkonin nga viktimat të hapnin një lidhje të posaçme ose të ekzekutonin komanda të caktuara në kompjuterët e tyre.

Këto veprime mundësonin shkarkimin e një programi keqdashës, përmes të cilit hakerët siguronin akses në kuletat e kriptomonedhave, llogaritë personale dhe listat e kontakteve të përdoruesve.

Por hetimet zbuluan edhe një tjetër element shqetësues të kësaj skeme. Sipas FBI-së, sulmuesit ruanin regjistrime nga kamerat e internetit të personave që kishin rënë pre e mashtrimit. Pamjet përdorej më pas për të shfrytëzuar ngjashmërinë e tyre në sulme të tjera ndaj kolegëve, miqve dhe personave të afërt.

Deri më tani, hetuesit amerikanë kanë identifikuar dhe sekuestruar më shumë se 900 skedarë video të këtij lloji. Zbulimi tregon se operacionet kibernetike të lidhura me Korenë e Veriut po ndërthurin vjedhjen e të dhënave dhe të kriptomonedhave me teknologjitë e inteligjencës artificiale, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin e mashtrimeve nga komunikimet reale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb