Deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka deklaruar se miratimi i rezolutës për integrimin në BE në seancën e fundit plenare, është një shenjë që po i jepet Brukselit, se ndryshe nga ajo që ishte deri tani, në proces do të përfshihet edhe Kuvendi.
I ftuar në “Studio24”, ai u shpreh se deri në këtë moment opozita ishte përjashtuar nga procesi duke mos pasur asnjë informacion në lidhje me detajet, por se kjo pritet të ndryshojë.
Në lidhje me përbërjen e rezolutës, ai u shpreh se ajo nuk përfshin lavdërime për punën e bërë nga qeveria, dhe se teksti i saj ka ndryshuar me kërkesë të opozitës.
“Nëse shihni tekstin e miratuar dhe atë të propozuar fillimisht nga PS është kryekëput i ndryshëm, u ndryshua me kërkesë nga opozita. Jemi të qëndrimin që për integrimin si Kuvend kemi një rol parësor dhe falë vullnetit të mazhorancës jemi përjashtuar nga ky rol aktiv. Kuvendi deri para 2 javësh nuk kishte asnjë informacion në lidhje me procesin negociues që i takon integrimit.
Pas raportit të fundit të Këshillit Europian të BE, që ishte mbushur me kritika, i takonte Parlamentit që të jepte një shenjë në këtë drejtim, dhe shenja me një rezolutë që përkthen në dokument zyrtar farsën zgjedhore dhe kritikat e BE në raportin e AFET dhe nuk përmban asnjë fjalë vlerësuese për rolin e qeverisë dhe angazhohet të plotësojë “detyrat” e dhëna nga BE, duhej të miratohej.
Opozita nuk ka thënë kurrë që procesi i integrimit është bllokuar por se është në stanjacion”, tha ai.
