E ftuara e dytë në programin “Dola te Ola” këtë javë ishte nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, e cila foli për jetën e saj profesionale dhe familjare.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tregoi për marrëdhënien e ngushtë që ka me prindërit e saj dhe të vëllanë, teksa rrëfeu se për momentin mamaja e saj po kalon një moment të vështirë shëndetësor dhe ata familjarisht po kujdesen shumë që ajo ta kalojë sa më lehtë.

Anisa ka mbaruar studimet në Fakultetin e Gjuhë të Huaja në Tiranë dhe më pas ka kryer studimet master në Bolonja për politika sociale. Ajo tregoi në program për eksperiencën e saj të veçantë në Shërbimin Social Shtetëror, ku punoi për 10 vite. Moment tjetër i rëndësishëm në karrierën e nënkryetares është teksa ka dhënë kontributin e saj për pandeminë, ndërkohë që punën në Bashkinë e Tiranës e cilësoi si një nga gjërat më të bukura që i ka ndodhur në anën e saj profesionale dhe zgjedhja më e mirë që ajo ka bërë në jetë.

Anisa përveç angazhimit në punë, është një bashkëshorte dhe një nënë shumë e përkushtuar. Bashkëshortin ajo e cilësoi si shokun e saj të ngushtë me të cilin është njohur rreth 20 vite më parë, në vitin e parë në fakultet.

Ndërkohë për ardhjen në jetë të vajzës së saj, ajo tha, “Nuk di të ketë një ditë më të lumtur se sa kur Amelia ka ardhur në jetë. Ishte shumë e dëshiruar, donim shumë një vajzë”.

Një moment shumë emocionues në program ishte kur në studio u shfaq videomesazhi nga bashkëshorti dhe vajza e Anisës. Ai kishte zgjedhur ta realizonte videomesazhin në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, aty ku ata janë njohur. “Jemi shumë me fat që të kemi. Jemi krenarë për ty. Je modeli më i mirë për Amelian. Te kemi familje”, ishin disa nga fjalët e bukura që ata thanë për Anisën duke bërë që ajo të emocionohet dhe përlotet.

Mbrëmja e kësaj të diele u mbyll me muzikë të mirë nga Endri dhe Stefi Prifti, për të përshëndetur nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb