Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar për ngjarjen e bujshme të përdhunimit të 15-vjeçares në një fshat të Mirditës, duke dënuar ashpër dhunën seksuale.

Sipas kryediplomates amerikane, përdhunimi është krim, ndërsa shtoi se i bashkohet të gjithë atyre që kërkojnë dënimin e autorëve.

Përmes një shënimi të shkurtër në profilin zyrtar në “Twitter”, ambasadorja Kim thekson se i bashkohemi aktivistëve dhe qytetarëve të tjerë që kanë kërkuar dënimin e atyre personave që abuzuan seksualisht me 15-vjeçaren.

Sipas saj, përdhunimi është një vepër penale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo thekson se ajo çfarë duhet të jetë tani si prioritet është një shërbim social dhe shëndetësor, deri në shërimin e plotë të vajzës, si dhe ndëshkim për abuzuesit.

“Ne i bashkohemi aktivistëve dhe të gjithë të tjerëve që flasin për dënimin e atyre personave që abuzuan seksualisht me një vajzë të re. Përdhunimi është një vepër penale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo çfarë duhet të bëhet në krye të radhës është: 1) shërbim social dhe shëndetësor deri në shërimin e plotë të vajzës 2) drejtësi. Ti jepet fund dhunës ndaj gruas. Jo, do të thotë JO #tinukjevetem”, shkruan Kim.

Pas rastit makabër të përdhunimit të 15-vjeçares nga fshati Tarazh i Mirditës nga 5 persona, të shumta kanë qenë reagimet ndaj kësaj ngjarje.

Me dhjetra aktivist të shoqërisë civile janë mbledhur vetëm pak ditë më parë në sheshin “Abat Doçi” në Rrëshen, për të manifestuar bashkërisht për sigurinë e vajzave në çdo hapësirë private dhe publike, për të drejtën dhe rëndësinë e informimit në shkolla lidhur me seksualitetin dhe të gjitha format e dhunës, e po ashtu kundër dhunës strukturore dhe patriarkale.

Protestat kanë vazhduar edhe në disa qytete të tjera të vendit, duke kulmuar me një protestë masive në kryeqytet. Kujtojmë se në Lezhë janë regjistruar në pak kohë dy abuzime me të miturat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb