Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, ndërsa përveç pikës së vetme të rendit të ditës, pritet të shqyrtohet dhe të votohet edhe një projektmarrëveshje e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes.
Seanca plenare do të nisë në orën 10:00, ku deputetët do të shqyrtojnë pikën e vetme të rendit të ditës, që lidhet me përbërjen e komisioneve parlamentare.
Megjithatë, zhvillimet nuk pritet të mbyllen me kaq. Sipas gazetarit Ergys Gjençaj, më pas komisionet parlamentare do të shqyrtojnë një projektmarrëveshje mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes.
Nëse projektmarrëveshja merr miratimin e komisioneve, rreth mesditës pritet të nisë pjesa e dytë e seancës plenare, ku dokumenti do t’i nënshtrohet votimit në Kuvend.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje do të përbënte një tjetër hap në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
