SHBA – Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka deklaruar se militantët e Shtetit Islamik (IS) kanë kryer gjenocid kundër të krishterëve, jazidëve dhe grupeve të tjera religjioze dhe etnike, në hapësirat që janë nën kontroll të tyre.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara udhëheqin një koalicion shumëkombësh, që ndërmerr sulme ajrore kundër caqeve të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Siri dhe Irak.

Në deklaratën e tij para reporterëve në Uashington, John Kerry theksoi se grupi militant, Shteti Islamik, vetë kishte pranuar se fushata e tij ka për qëllim zhdukjen e tërësishme të grupeve etnike.

“Qëllimi i paraqitjes sime sot para jush është të shpalli se sipas vlerësimit tim, Daesh është përgjegjës për gjenocid kundër grupeve në hapësirat nën kontrollin e tij, përfshirë jazidët, të krishterët dhe myslimanët shiitë. Daesh është gjenocidial me vetëdeklarim, për nga ideologjia dhe aksionet, në atë që thotë, në atë që beson dhe në atë që vepron”, tha John Kerry në Departamentin amerikan të shtetit në Uashington.
Ai iu referua emrit arab (Daesh) për Shtetin Islamik.

Luftëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik, e kanë marrë në shënjestër me ndëshkim të veçantë popullatën jazidi në Irak, dhe Kombet e Bashkuara dhe hetuesit e pavarur, kanë mbledhur dëshmi se mijëra femra të grupit jazidi ishin detyruar të bëhen skllave seksuale.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, dje tha se shpallja se gjenocidi ose krimet kundër njerëzimit janë kryer në Irak ose çdokënd tjetër “domosdoshmërisht nuk do të rezultonte me ndonjë obligim të veçantë juridik për Shtetet e Bashkuara”.(rel)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: