Lëvizja Socialiste për Integrim do të aplikojë votimin online në zgjedhjet e kësaj force më 21 nëntor. Kryetarja e KQZ së LSI, Silva Caka tha sot se procesi zgjedhor do të mbahet ditën e shtunë duke filluar nga ora 09:00 dhe se përveç votimit elektronik anëtarët e LSI do të mund të votojnë edhe në qendrat e votimit të ngritura në çdo bashki.

Ajo solli me video mënyrën e votimit, teksa theksoi se më 21 nëntor dhe 5 dhjetor, nuk votohet thjesht për delegatët, kryetarin dhe strukturat e reja drejtuese, por i paraprihet fitores së madhe të shqiptarëve, e cila do të vijë më 25 prill.

DEKLARATA E PLOTË
Jemi sot për të njoftuar të gjithë anëtarët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë për procesin e zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili do të mbahet ditën e shtunë më 21 nëntor, duke filluar nga ora 09:00.

Lëvizja Socialiste për Integrim, në çdo proces zgjedhor ka qenë avantgardë, duke qenë e para që prezantoi parimin e shënjtë një anëtar – një votë, duke qenë e para që zbatoi kuotën gjinore në masën 50-50, duke qenë e para që aplikoi votimin dhe numërimin elektronik dhe duke qenë e para dhe ende e vetmja forcë që fokuson të gjithë vëmendjen e saj tek të rinjtë.

Edhe më 21 nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë sërish e para forcë politike, e cila do të aplikojë votimin online. Ne sot iu bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrën që ata dëshirojnë.
Përveç votimit elektronik, në çdo bashki do të kemi të hapura qendrat e votimit, në mënyrë që çdo anëtar të zgjedhë përfaqësuesit e tij në Koventën Kombëtare Zgjedhore, që do të mbahet më 5 dhjetor.

Për të gjithë anëtarët që ndodhen jashtë Shqipërisë, gjtihashtu edhe ata që e kanë pamundur që t’i drejtohen kutive të votimit për shkak të situatës së pandemisë ose pamundësisë së tyre, aplikacioni ‘Join LSI” ju vjen në ndihmë për të shprehur vullnetin tuaj.

Më 21 nëntor dhe 5 dhjetor, ne nuk votojmë thjesht për delegatët, kryetarin dhe strukturat e reja drejtuese, por i paraprijmë fitores së madhe të shqiptarëve, e cila do të vijë më 25 prill.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: