Mbreti Abdullah i Jordanisë përsëriti sot se ai kategorikisht refuzon “çdo masë izraelite për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të detyruar palestinezët të largohen”, me rastin e bisedimeve që pati në Abu Dhabi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan.
Monarku jordanez e bëri këtë deklaratë pasi shumë zyrtarë izraelitë lanë të kuptohej se Izraeli mund të vazhdojë me aneksimin e zonave të mëdha në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke reaguar kështu ndaj qëllimit të vendeve perëndimore për të njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet së shpejti.
Sipas deklaratës, Abdullahu përsëriti gjithashtu se vendi i tij hedh poshtë “çdo plan për të ardhmen e Gazës që do të përfshinte transferimin e popullsisë ose ndarjen e saj nga Bregu Perëndimor”.
Abdullah dhe Al Nahyan shprehën gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj planeve për të zgjeruar vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, duke denoncuar se “qëndrimet dhe njoftimet izraelite përbëjnë një kërcënim për sovranitetin kombëtar të shteteve në rajon”. Ata gjithashtu hodhën poshtë “planet izraelite për të përjetësuar pushtimin e Rripit të Gazës”.
Mbreti ka thënë vazhdimisht se Jordania nuk do të bëhet kurrë një “vend zëvendësues” për palestinezët. Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020, paralajmëruan të mërkurën e kaluar se përpjekja për aneksimin e territorit të Bregut Perëndimor përbën një “vijë të kuqe”.
Më parë, Ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Sha’ar, tha se njohja e shtetit palestinez nga vendet perëndimore mund ta shtyjë Izraelin të ndërmarrë “masa të njëanshme”.
