LeBron James, transferimi i bujshëm i Sixers këtë verë, pranoi uljen më të madhe të pagës në historinë e NBA-së, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare me vlerë 8 milionë dollarë me Philadelphian. 41-vjeçari kaloi nga 52.3 milionë dollarë që përfitoi në sezonin e tij të fundit me Lakers te vetëm 3.8 milionë dollarë që ka pranuar nga Sixers për sezonin 2026-2027.
Kështu, LeBron James heq dorë nga 48.75 milionë dollarë nga një sezon në tjetrin, me synimin për të luftuar për titullin kampion në “Qytetin e Dashurisë Vëllazërore”. Kjo përfaqëson një ulje prej plot 92% krahasuar me pagën e tij të mëparshme. Por, marrëveshja e LeBron James me një kompani bastesh ka shkaktuar polemika, pasi ai do të fitojë trefishin e asaj që merr te Sixers.
Në më shumë se dy dekada karrierë në NBA, LeBron ka arkëtuar 583.9 milionë dollarë vetëm nga kontratat e lojës. Megjithatë, pasuria e tij është shumë më e madhe falë investimeve dhe të ardhurave nga reklamat. Ai ka, ndër të tjera, një kontratë fitimprurëse të përjetshme me “Nike”, e cila i sjell rreth 40 milionë dollarë në vit. Kompani të tjera që kanë investuar fuqishëm te LeBron janë “Polymarket”, e cila në shtator i ofroi një kontratë prej 15 milionë dollarësh në vit si ambasador i platformës së basteve, si dhe “PepsiCo”, “Richard Mille”, “Mattel”, duke e bërë atë sportistin e parë profesionist që ka kukullën e tij Ken, për të vijuar me “AT&T”, “Beats by Dre”, “GMC”, “Rimowa” dhe “Walmart”. Për të zgjeruar dhe konsoliduar pasurinë e tij, LeBron James ka arritur gjithashtu të zëvendësojë pagesat në para me aksione në kompanitë me të cilat bashkëpunon, si “Apple” dhe “Blaze Pizza”. Sipas “Forbes”, “James ka një pasuri neto të vlerësuar në rreth 1.4 miliardë dollarë.
POLEMIKA
Në të njëjtën kohë kur aktorja Sydney Sweeney po përballet me kritika të shumta për bashkëpunimin e saj të diskutueshëm me një kompani bastesh, ku është akuzuar se seksualizon imazhin e grave dhe sportisteve, LeBron James po kritikohet gjithashtu për bashkëpunimin e tij me një tjetër kompani bastesh dhe për ndikimin që një marrëveshje e tillë mund të ketë në tregun e NBA-së. “A e ka shitur LeBron James shpirtin për 15 milionë dollarë, kur tashmë ka 1 miliard? Nuk e di, këtu ka diçka që nuk shkon”, shkroi një tifoz në rrjetet sociale.
Ndërkohë, për këtë situatë, analisti Brett Siegel u shpreh: “Me sa di unë, kjo nuk shkel asnjë rregull të marrëveshjes kolektive (CBA). Por, në të ardhmen, këto marrëveshje paralele që lojtarët kanë me kompanitë mund të çojnë drejtpërdrejt në kontrata me vlera më të ulëta, në mënyrë që të lehtësohet ndikimi i tavanit të pagave. Në teori, kjo do të ishte një mënyrë për ta anashkaluar atë”, argumentoi Siegel, ndërsa më tej vijoi argumentimin e tij: “Një lojtar mund të pranojë një kontratë për një shumë dukshëm më të ulët, duke e ditur se ka të garantuar një marrëveshje sponsorizimi që mund t’i kompensojë më shumë se 10 milionë dollarë. Më pas, lojtari i komunikon ekipit se do të firmosë për më pak për shkak të këtyre marrëveshjeve paralele. Kryhen procedurat përkatëse dhe marrëveshja finalizohet”. Aktualisht, nuk ka asnjë indikacion se marrëveshja e James me “Polymarket” është e lidhur me Sixers, ndërsa NBA nuk ka një rregull specifik që ndalon lojtarët të promovojnë tregje parashikimi.
