Një nga propagandistet pro Putinit në televizionin shtetëror rus, Olga Skabeyeva, ka bërë një deklaratë të frikshme. Në një emision ku të ftuar kanë qenë analistë rusë, komentues dhe ekspertë politikë, ajo është shprehur se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka nisur. Skabeyeva nuk është mjaftuar me kaq, por ka paralajmëruar edhe se Britania dhe SHBA do të detyrohen të paguajnë një çmim të rëndë për ndërhyrjen në luftën me Ukrainën.

“Ndoshta është koha për të pranuar se operacioni special i Rusisë në Ukrainë ka marrë fund, në kuptimin që një luftë e vërtetë ka filluar: Lufta e Tretë Botërore. Ne jemi të detyruar të bëjmë çmilitarizimin jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë aleancës së NATO-s”, është shprehur Skabeyeva.

I ftuar në emision, Vladimir Avatkov, nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, më pas dha paralajmërimin e tij për aleatët perëndimorë që ofrojnë mbështetje për Kievin.

“Duhet të kujtojmë fjalët e Vladimir Vladimirovich Putin, i cili tha se kushdo që përpiqet të ndërhyjë në operacionin special ushtarak do të paguajë një çmim të rëndë”, tha ai solemnisht, por kërcënimet filluan të përshkallëzohen shpejt edhe më tej.

Deputeti rus Oleg Matveychev deklaroi se kufijtë aktualë të Polonisë do të ishin të pavlefshëm nëse do të ndërhynte në Ukrainë, përpara se Skabeyeva ta ndërpriste.

“Unë nuk po flisja vetëm për Poloninë, por për Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara… janë të gjithë të përfshirë!”, tha ajo.

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb