Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e dhjetëra mijëra emigrantëve ilegalë në dy kampe në territorin tonë.

Alizoti u shpreh se duke u përfshirë në këtë marrëveshje, Shqipëria po bëhet pjesë e një problemi global, siç është emigracioni.

Ai shtoi se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura për të mirëpritur numrin e madh të emigrantëve që pritet të strehohen në vend për llogari të Italisë.

Sakaq, ai zbuloi se ka pasur diskutime edhe për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri, gjë që sipas tij e bën kryeministrin Rama një “antishqiptar”.

“E gjitha ka një hile shumë të madhe. Sipas fjalëve të dala kjo është dakordësuar që në gusht. Këto marrëveshje duhet të jenë publike. Ata nuk do rrinë te shtëpia e zotit Rama. Problemi kryesor që kanë vendet e pasura është emigracioni. Një pjesë e madhe e vendeve afrikane dhe të Lindjes së Mesme do të vijnë drejt Europës.

Në Gjermani janë rritur forcat e ekstremit të djathtë për shkak të emigrantëve. Gjermania ka 82 mln banorë, Italia ka 60 mln dhe vjen Shqipëria me 2 mln banorë me një rrip toke dhe bëhet pjesë e një problemi global. Shqipëria sot nuk ushqen dot njerëzit e vetë. Lampedusa është një ishull me kapacitet 1600, sa e ka kapacitetin porti i Shëngjinit. Ai duhet të ishte port për Veriun dhe Kosovën. Ne jemi një vend shumë i vogël dhe i varfër, nuk jemi për t’i kthyer ndere Italisë.

Nuk mund të kthehemi në një hotspot të një problemi të tillë, kur vende si Polonia dhe Hungaria nuk e pranojnë. 36 mijë veta në vit janë shumë, kush i kontrollon ata? Nuk mund të përballohen. Politika e jashtme bazohet në interesa, nuk bazohet në dashuri. Këto janë përralla, ato që thotë kryeministri. Nuk e përballojmë dot, po marrim një rrezik të madh. Kam dëgjuar që është diskutuar edhe për një central bërthamor. Ky është një antishqiptar që ja bën këto Shqipërisë. Nuk e përballojmë dot teknikisht”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: