Egnatia vijon për gatitjet për duelin që do të luajë me Laçin në transfertë të shtunën në 15:00. Rrogozhinasit udhëtojnë drejt Kurbinit me motivin për të vazhduar me rezultatet pozitive në kampionat. Fitorja me Partizanin riktheu qetësinë te bardhejeshilët ndonëse kalendari është “i pamëshirshëm” për kryesuesit.

KALENDARI – Egnatia është futur zyrtarisht në një 10-ditësh, ku do të diskutohet vendi i parë në klasifikim dhe fati i Kupës së Shqipërisë. Pas duelit me Laçin, Egnatia do të luajë dy herë radhazi me ndjekësen më të afërt në renditje, Vllazninë. Fillimisht, kundër shkodraneve në transfertë do të diskutohet një biletë për në finale të Kupës dhe më tej do të presin kuqeblutë në shtëpi për llogari të Superiores.

PA PIKË REFERIMI – Egnatia nuk ka një lider apo sulmues ku mbështetet loja e skuadrës. Pas ndarjes nga jeta të Rafael Duamenës, te rrogozhinasit shënojnë thuajse të gjithë futbollistët. Fillimisht stafetën e golave e morën Paulauskas dhe Isgandarli. Me ikjen e tyre në merkaton e janarit, në pah dolën Zejnullai, Fernando, Ndreca dhe Spahiu. Fakti që ekipi nuk ka një pikë i ka dy anët e medaljes. Së pari ekipi i Tetovës nuk disponon lojtarin që i heq “lakun” nga fyti në momente të vështira, ama nga ana tjetër Egnatia nuk është një ekip ku mund të bazohesh për ta ndalur, pasi janë disa futbollistë që mund të zgjidhin ndeshjet. Shpesh herë Fernando, Zejnullai, Spahiu apo Montenegro kanë rezultuar protagonistë.

MBROJTJA – Ndryshe nga sezoni i shkuar, kur mbrojtja rezultoi më e mira e kampionatit me 32 gola të pësuar, këtë vit të njëjtin numër golash prapavija rrogozhinase ka pësuar në 31 javë në Superiore. Egnatia është një ekip që ushtron presion dhe mundohet të prodhojë lojë, por nga ana tjetër lë hapësira për kundërshtarët. Rrogozhinasit kanë aktualisht sulmin e dytë më të mirë të Superiores, por nga krahu tjetër pëson mesatarisht një gol për ndeshje. Trajneri Tetova shpeshherë ka theksuar faktin se kërkon kompaktësi nga të tria repartet që ekipi të jetë më solid

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb