Protesta kundër qeverisë në Tiranë ka hyrë në ditën e 109-të, ndërsa ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar zhvillimet gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon. Koçi tha se në nisje të protestës kishte pasur simpati për lëvizjen, por me kalimin e kohës, sipas tij, ajo ka marrë një tjetër drejtim dhe i ngjan gjithnjë e më shumë retorikës së Partisë Demokratike.
Ai vuri në pikëpyetje edhe pretendimin se protesta synon ndryshimin e klasës politike. Sipas tij, në politikën shqiptare ka pasur qarkullim dhe ndryshime, ndërsa krahu që, sipas tij, ka ndryshuar më pak është PD-ja.
Koçi solli në vëmendje edhe ndryshimet brenda Partisë Socialiste, duke përmendur kalimin nga drejtimi i Fatos Nanos te ai i Edi Ramës. Duke folur për Sali Berishën, ish-deputeti socialist tha se përballja me të e bën më të lehtë, sipas tij, thirrjen për zgjedhje. “Ai i fitoi zgjedhjet personale, por PD i humbi”, deklaroi Koçi.
Ai kritikoi gjithashtu gjuhën e ultimatumeve në politikë, duke e krahasuar atë me retorikën e përdorur nga Berisha në vitin 1998. Sipas Koçit, ndryshimet që i nevojiten vendit duhet të jenë më të thella dhe të lidhen me Kushtetutën, dhe jo thjesht me largimin e një qeverie dhe ardhjen e një tjetre. Koçi shtoi se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u bënë në një kontekst të caktuar politik, duke deklaruar se Berisha i ndërmori ato në kushtet kur kishte një numër të kufizuar deputetësh në Kuvend.
“Kam pasur simpati për protestën në fillim, por tani më duket si lëvizje PD-izmi. Është e njëjta retorikë e PD-së. Pretendimi për të ndryshuar klasën politike, për të majtën nuk qëndron, pasi është qarkulluar komplet. Është vetëm me të rinjtë përgjithësisht, Krahu që nuk ka ndryshuar shumë është PD. Te PS gjërat kanë ndryshuar, se ka qenë Fatos Nano, e tani është Rama. Kjo është dhe meritë e Berishës. Të kesh Berishën përballë, i fton kollaj zgjedhjet. Ai i fitoi zgjedhjet personale, por PD i humbi. Gjuha me ultimatume nuk shkon, si gjuha ultimative e Berishës në 98. Ka nevojë për disa ndryshime thelbësore që lidhen me kushtetutën dhe jo të ikë ky dhe të vijë ai. Për mua duhen ndryshuar ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Ia kam kërkuar dhe PS, që ta rishohë dhe të rikthejë formatin e mëparshëm. Republika duhet të jetë e pastër, jo kryeministrore. Berisha e bëri se kishte pak numra në Kuvend.”, tha ai.
