Partia Demokratike ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si rritje të procedurave të prokurimit me indikatorë risku në pushtetin vendor, duke iu referuar monitorimit të kryer nga Open Procurement Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se miliarda lekë të taksave të qytetarëve janë ekspozuar ndaj tenderëve të klasifikuar me “Red Flag”, që sipas saj tregojnë mungesë konkurrence, favorizim dhe përdorim joefektiv të fondeve publike.

Sipas të dhënave të paraqitura nga PD, Bashkia Kamëz rezulton rasti më problematik në nivel kombëtar, ku 1.23 miliardë lekë, ose 51.8% e fondit limit, lidhen me procedura të klasifikuara “Red Flag”. Ndërkohë, Bashkia Tiranë renditet e para për ekspozimin financiar, me rreth 1.7 miliardë lekë fond limit të përfshirë në 75 procedura me risk.

Në deklaratë u përmendën edhe Bashkia Vlorë, ku rreth 928 milionë lekë, ose 36.5% e fondit total të tenderëve, janë klasifikuar si procedura me risk, si dhe Bashkia Shijak, ku 72.9% e fondit limit rezulton me indikatorë “Red Flag”.

Sipas PD-së, niveli më i lartë i ekspozimit relativ është regjistruar në Bashkinë Pogradec, ku 85.1% e fondit limit të procedurave të prokurimit është klasifikuar me indikatorë risku.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Tenderët me ‘Red Flag’ janë  kthyer në normë në pushtetin vendor.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin për gjetjet e monitorimit të procedurave të prokurimit publik në bashkitë e vendit, sipas metodologjisë së vlerësimit me indikatorë risku ‘Red Flag’ të Open Procurement Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Panoramë alarmante, ku miliarda lekë të taksave të qytetarëve rezultojnë të ekspozuara ndaj procedurave të prokurimit që mbartin indikatorë seriozë risku për mungesë konkurrence, favorizim dhe përdorim joefektiv të fondeve publike.

Shifrat flasin vetë.

Bashkia Kamëz rezulton rasti më kritik në nivel kombëtar. Nga 2.37 miliard lekë fond limit, plot 1.23 miliard lekë, ose 51.8%, lidhen me procedura të klasifikuara ‘Red Flag’. Me 42 tenderë problematikë nga 96 gjithsej, Kamza kombinon një volum shumë të madh fondesh me një nivel tepër të lartë ekspozimi ndaj riskut.

Bashkia Tiranë mban vendin e parë për ekspozimin financiar, me 1.7 miliard lekë fond limit të klasifikuar ‘Red Flag’, të shpërndara në 75 procedura prokurimi. Kjo është vlera më e lartë në shkallë kombëtare dhe dëshmon se qendra e vendit vazhdon të mbetet edhe qendra e tenderëve me risk të lartë.

Në Bashkinë Vlorë, afro 928 milionë lekë, ose 36.5% e fondit total të tenderëve, rezultojnë të klasifikuara si procedura ‘Red Flag’, duke e renditur ndër bashkitë me ekspozimin më të madh financiar.

Bashkia Shijak, ku 72.9% e fondit limit të tenderëve rezulton me indikatorë risku. Praktikisht, pothuajse tre të katërtat e fondeve të prokurimit të kësaj bashkie zhvillohen në procedura të konsideruara problematike.

Bashkia Pogradec, ku 85.1% e fondit limit të procedurave të prokurimit është klasifikuar ‘Red Flag’. Ky është niveli më i lartë i ekspozimit relativ në vend dhe një kambanë alarmi për mënyrën se si administrohen fondet publike.

Këto të dhëna nuk përbëjnë një listë rastësore statistikash. Ato tregojnë se praktikat e prokurimeve me risk të lartë janë shndërruar në një model të përsëritur të administrimit të fondeve publike në pushtetin vendor.

Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të analizojnë me prioritet këto procedura për zbatimin dispozitave ligjore për prokurimin publik.

Këto të dhëna përbëjnë një argument të fortë e bindës edhe kundër përpjekjeve të Partisë Socialiste për një tjetër ndarje territoriale, e cila synon të përqendrojë edhe më shumë kompetenca dhe fonde publike në duart e disa bashkive të mëdha.

Shqipëria ka nevojë për pushtet vendor që u shërben qytetarëve, jo për bashki që renditen vit pas viti në krye të listës së procedurave me risk të lartë.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: