Ministri kanadez i Financave, Bill Morneau deklaroi se do të largohej nga qeveria dhe do të jepte dorëheqjen nga Dhoma e Komunave për të përmbushur rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Dorëheqja e Morneau erdhi mes njoftimeve për përplasje politike me kryeministrin, Justin Trudeau për deficitin në rritje të vendit dhe për një hetim potencialisht të dëmshëm lidhur me zbatimin e një programi shumë milionë dollarësh.

“Unë u takova sot me kryeministrin për ta njoftuar atë se nuk kisha plan të kandidoja përsëri për zgjedhjet e ardhshme federale”, u tha Morneau gazetarëve në një konferencë shtypi në Otava.

Morneau, i cili e mbante postin prej pesë vitesh, mohoi që atij i është bërë presion nga Trudeau për të dhënë dorëheqjen.

Trudeau vlerësoi arritjet e Morneau si ministër Financave.

“Nën udhëheqjen e tij, Kanadaja zhvilloi një ekonomi të fortë me një nga buxhetet më të mira në G7, krijoi mbi një milion vende pune dhe arriti nivelin më të ulët të papunësisë në histori”, theksoi Trudeau.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb