Mjekja Imazheriste në spitalin e Traumës, Najada Kallashi në emisionin ‘Kjo javë’ me gazetaren Nisida Tufa foli për sëmundjen e kancerit të gjirit.

Ajo u shpreh se është vënë re një interesim i lartë për të bërë ekzaminime rutinë të gjirit.

“Ekzaminimi i gjirit fillon me një eko të thjeshtë dhe kryhet me një kohë të shkurtër, nuk kërkon parapërgatitje të pacientit dhe i afrohet gati 50% diagnozës reale të gjirit,. Ekzaminimi ekografik nuk ka efekt anësor për pacienten”, tha ajo.

Gjatë bisedës në studio, ajo tha se përveç ekos dhe mamografisë, tha se ekzaminimet imazherike të kryera në kohën e duhur arrijnë të kapin lezione të vogla.

Ajo shtoi se kanceri është shumë më agresiv se inteligjenca mjekësore.

“Kanceri i gjirit hyn tek sëmundje tinëzare, dhe ndaj sot i mëshohet propagandës së depistimeve, ekzaminimet imazherike të kryera në kohën e duhur arrijnë të kapin lezione të vogla. Sot të gjitha metodat mjekësore kanë avancuar që të rrisim mbijetesën. Ne themi se kanceri është sëmundje multidisiplinare sepse nuk mund të përdoren i njëjti mjekim dhe kërkon pjesëmarrje edhe të mjekut kirurg apo protokolle të radioterapisë. Përpara se të fillojmë luftën për mbijetesë, ti kushtojmë më shumë minutazh për depistimin e gjirit. Depistimi në kohë është shumë i rëndësishëm”, tha më tej ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb