Pas rizgjedhjes në Kryesinë e PD, si kandidati më i mbështetur me 170 vota, Grigels Muçollari ka falënderuar anëtarët e Këshillit Kombëtar për besimin e dhënë, ndërsa e cilësoi këtë mbështetje si një motivim për të vijuar angazhimin politik. Në reagimin e tij, Muçollari u bëri thirrje demokratëve të intensifikojnë aksionin opozitar dhe t’i bashkohen protestës qytetare, e cila ka hyrë në ditën e 33-të.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muçollari u shpreh se vota e marrë për të vijuar përfaqësimin në Kryesinë e PD-së përbën një përgjegjësi të madhe dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë me demokratët dhe qytetarët, me synimin për ndryshimin politik dhe rotacionin e pushtetit.
Ai u bëri thirrje strukturave të Partisë Demokratike që të vazhdojnë aksionin politik në të gjitha nivelet, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje për protestën qytetare.
“Të vazhdojmë të mbështesim protestën qytetare në ditën e 33-të të saj. Shihemi sot në orën 19:00 në shesh!”, shkruan Muçollari.

Kryesia e re e PD
Partia Demokratike ka zgjedhur 20 anëtarët e Kryesisë, 14 prej të cilëve janë zgjedhur për herë të parë. Procesi i votimit për Kryesinë e PD-së u zhvillua ditën e djeshme, teksa numërimi përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Nga kandidatet gra, Ilda Zhulali ka rezultuar më e votuara, me 211 vota.
Më pas vjen Eda Grimçi me 177 vota, Edith Harxhi me 151 vota, Mimoza Hajdarmataj me 132 vota, Lili Sulaj me 124 vota dhe Floriana Garo me 114 vota.
Ndërkohë nga kandidatët burra më të votuar, listën e kryeson Grigels Muçollari me 170 vota.
Pas tij vjen Ervin Minarolli me 167 vota, Fisnik Qosja me 158 vota, Gjin Gjoni me 150 vota, Dorian Teliti me 132 vota, Atird Hoxha me 124 vota, Ilir Alimehmeti me 122 vota dhe Keltis Kruja me 115 vota.
