Kandidati për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, Bix Aliu, në dëshminë e tij para Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit tha se zgjedhjet në Mal të Zi në vitin 2023 “siguruan një mundësi historike për të përshpejtuar vendin në rrugën e tij drejt BE-së”.

“Ne gjithashtu duhet të jemi të qartë për rreziqet ndaj këtij qëllimi që përfaqëson koalicioni qeverisës dhe të mbetemi të angazhuar, me zgjidhje praktike, për të ndihmuar vendin të zërë vendin e merituar në Bashkimin Evropian, që është dëshira e 80 për qind e malazezëve.

Ai tha se nëse emërimi konfirmohet do të ketë katër prioritete në punën e tij, raporton VOA. Ai vuri në dukje se “lufta brutale e Rusisë në Ukrainë thekson urgjencën që Mali i Zi të përshpejtojë reformat kyçe për pranimin në BE, zhvillimin demokratik, stabilitetin dhe prosperitetin”.

“Unë do të udhëheq një përpjekje ndërinstitucionale për të angazhuar liderët malazezë dhe për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit të rrënjosur, për respektimin e të drejtave të njeriut që do të ofrojë rezultate të prekshme për qytetarët e Malit të Zi, të gjitha në përputhje me qëllimet e sigurisë kombëtare të SHBA. “tha ai.

Ai përmendi si prioritet thellimin e lidhjeve të NATO-s me Malin e Zi, duke kujtuar se ky vend ka shtatë vjet që është anëtar i aleancës.

Gjëja e tretë që ai theksoi ishte forcimi i rezistencës së Malit të Zi ndaj “aktorëve keqdashës që duan të minojnë demokracinë dhe institucionet e tij”.

“Nëse konfirmohem, unë do të punoj me partnerët ndërinstitucionalë, BE dhe vendas për të luftuar dezinformimin, për të mbështetur shoqërinë civile dhe për të përforcuar mesazhet e SHBA-së për vlerat transatlantike.”

Si përparësi të katërt, ai theksoi mbështetjen për prosperitetin ekonomik të Malit të Zi nëpërmjet dialogut të rinovuar ekonomik amerikano-malazez për të forcuar klimën e investimeve, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të diversifikuar burimet e energjisë.

“Mali i Zi është në një udhëkryq – vendi ka nevojë për institucione efektive demokratike të konsoliduara në kuadrin euro-atlantik dhe të përkushtuar ndaj mirëqenies së të gjithë qytetarëve të tij. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me udhëheqësit malazezë për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta, duke mbështetur detyrimet ndërkombëtare dhe për të luftuar korrupsionin. Ne jemi aleati i Malit të Zi në ndërtimin e një të nesërme më të mirë si pjesë e NATO-s dhe BE-së. Qytetarët e Malit të Zi e kanë shprehur qartë këtë dëshirë me votat e tyre dhe nuk meritojnë asgjë më pak”, përfundoi ai.

Në shtator të vitit 2022, presidenti amerikan Joe Biden ia referoi Senatit emërimin e Bix Aliut për shqyrtim si ambasadori i ri amerikan në Mal të Zi.

Nëse dhoma e lartë e Kongresit Amerikan jep dritën jeshile për kandidatin e Bidenit, Aliu do ta zëvendësojë në postin e ambasadorit në Mal të Zi Judy Rising Reinke, e cila e mori këtë detyrë në vitin 2018.

“Kandidatët e sotëm janë tepër të aftë, kompetentë dhe me përvojë, me gati më shumë se 100 vjet shërbim publik të kombinuar. Faleminderit që jeni të gatshëm të shërbeni në poste publike. Ne e dimë se nuk është një sakrificë vetëm për ju, por për familjet tuaja,” tha Ben Cardin, kryetar i komitetit të senatit.

Kush është Bix Aliu?

Aliu, një amerikan me origjinë shqiptare, gjatë karrierës së tij të deritanishme ka qenë zëvendës shef i misionit në ambasadën amerikane në Podgoricë dhe së fundi i ngarkuar me punë të përkohshme në ambasadën amerikane në Budapest, zëvendës shef i misionit në ambasadën amerikane në Poloni dhe i ngarkuari i përkohshëm me punë gjatë vitit 2021, dhe konsulli i përgjithshëm në Krakov.

Ai ka shërbyer edhe në ambasadën në Tiranë, ndërsa në Departamentin e Shtetit ka qenë zëvendëskoordinator për orientimin në Qendrën Kombëtare të Trajnimit për Politikën e Jashtme, si dhe ka punuar në Kongresin Amerikan.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Aliu ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe ka magjistruar në studime strategjike në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane në Pensilvani.

Ai është fitues i disa çmimeve të Departamentit të Shtetit dhe flet gjuhën malazeze, polake, serbo-kroate, maqedonase dhe shqipe, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: